Kosova vishet kuq e zi për festën e Flamurit

Lajme

Kosova vishet kuq e zi për festën e Flamurit

Më: 28 nëntor 2008 Në ora: 14:48

Pamjet që shihen tregojnë se sa të vështirë e kanë shqiptarët e Kosovës të ndahen nga flamuri kuq e zi.

Qendra e Prishtinës është e veshur me këto dy ngjyra sot, në 96 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, pavarësisht faktit se në Kosovë kjo ditë më nuk figuron në listën e festave zyrtare.

Në shtizat e hekurit të institucioneve qendrore të Kosovës nuk ka gjetur vend flamuri kombëtar i shqiptarëve krahas flamurit të Kosovës dhe flamujve të vjetëruar të organizatave kryesore ndërkombëtare që kryejnë misione në këtë shtet të ri. Në Ligjin për Festat në Kosovë, dita e 28 Nëntorit figuron si "Dita e Shqiptarëve" pasi që pakoja e Ahtisarit ia ka ndaluar këtij shteti do referencë të historisë kombëtare.

Por qytetarët nuk donë t'ia dinë se çka shkruan në këtë ligj. Organizata joqeveritare të Kosovës, që nga mëngjesi I së premtes kanë nisur stolisjen e qendrës së Prishtinës me flamuj kuq e zi në pritje të manifestimit qendror që do të mbahet në mbrëmje. Motoja e festimeve të sinkronizuara në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup sivjet është quajtur "Jemi Një".

"Po e përjetojmë shumë mirë këtë festë pas pavarësisë, populli ynë i bashkuar. Ua uroj festën të gjithëve", tha Ali Kadriu, qytetar.

Një qytetar nga Tropoja deklaroi: "Kjo festë është madhështore. Me 1912 populli shqiptar i bashkuar nën drejtimin e Ismail Qemailit dhe Isa Boletinit ngriti flamurin më 28 Nëntor në Vlorë më 1912".

Ndërsa, një qytetar tjetër tha se kjo është një festë e madhe pas pavarësisë, por me këto 6 pikat pak na kanë prishur disponimin.

Krahas vendosjes së flamujve, OJQ-të e Kosovës kanë organizuar edhe një ekspozim të prodhimeve vendore të Kosovës në të cilin përve ushqimeve janë prezantuar edhe artizanate të ndryshme tradicionale shqiptare.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat