Thaçi e refuzon Gruevskin

Maqedonia

Thaçi e refuzon Gruevskin

Më: 24 korrik 2009 Në ora: 13:47

“Ju falemnderit për ftesën që të marr pjesë në takimin e liderëve.Këtë ide e përuroi në kohën e vet z. Gligorov. Qëllimi i tij ishte relaksimi i marrëdhënieve të acaruara ndërpartiake dhe ndëretnike në Maqedoni. Si politikan i vjetër me përvojë dhe urtësi, ai kuptonte mirëfilli se nuk ka hije që të imponojë ndonjë ide pretencioze, por përpiqej të krijojë një atmosferë familjare. Ishte natyrisht një njeri i dalë prej modës, por megjithatë nuk tentonte me metoda dinake të na mashtrojë”,thuhet në letrën e kreut të PDSH-së, drejtuar kryeministrit. Ju e përvetësuat këtë ide fisnike prej tij, por assesi nuk ju ka hije të silleni si babai i kombit. Jeni tepër i ri për një rol të atillë, thuhet në me tej në letër. “Qëllimi im që t’ju drejtohem me këtë letër të hapur nuk ishte t’ju mbaj mësim për bon-tonin, por të ekspozoj juve dhe opinionit të gjerë në Maqedoni argumentet për se nuk do të marrë pjesë në këtë takim liderësh: Deri më tani kemi pasur dhjetëra takime të këtilla të padobishme. Asnjëherë nuk kemi qenë të konsultuar për rendin e ditës. Si duket, kur e humbni vetëbesimin, kërkoni shpëtim në takimet e këtilla për të ndarë përgjegjësinë me ne; Në takimet e deritashme kanë dominuar temat që janë të rëndësishme për ju. Por, siç duhet të dini edhe shqiptarët i kanë problemet e tyre të rënda, por në agjendën tuaj për ta s’kishte vend; Metoda e juaj e punës ka këtë veçori: sukseset i përvetësoni, ndërkaq dështimet hapakrah ua jepni të tjerëve”, thuher në letër.

PDSH-ja akuzon kryeministrin se ai e mban përgjegjësinë për modifikimin e paturpshëm dhe të papërgjegjshëm të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. “Shqiptarët, tashmë janë bindur se Marrëveshja Kornizë e Ohrit është shndërruar në një floskulë, maqedonasit gjithnjë e më shumë, të molisur nga bara e varfërisë shohin, por kurrsesi nuk mund të kundërvihen politikës suaj që Maqedoninë e largon gjithnjë e më tepër nga sistemet globale të sigurisë, ndërkaq faktori ndërkombëtar mbikëqyr dhe s’arrinë dot të kuptojë se ç’po ndodhë. Për mua këto probleme kanë rëndësi të jashtëzakonshme për ardhmërinë e Maqedonisë. Këtë ardhmëri ju përpiqeni ta tregtoni me zulmin e së kaluarës prej së cilës askush nuk ka dobi”, ka theksuar kreu i PDSH-së.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat