Maqedonia bie dakort për vijën kufitare me Kosovën

Maqedonia

Maqedonia bie dakort për vijën kufitare me Kosovën

Më: 17 tetor 2009 Në ora: 14:30

Qeveria e Maqedonisë ka miratuar informacionet për shënimin e vijës kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës.

Mbrëmë vonë, siç njofton ajo, ka miratuar edhe tekstin e marrëveshjes për shënimin e kufirit dhe për sot ka dorëzuar në parlament një projektligj për ratifikimin e marrëveshjes mes dy vendeve.

Pritet që parlamenti të zhvillojë seancë urgjente edhe pse opozita maqedonase LSDM, ka kundërshtuar mënyrën e përshpejtuar të ratifikimit të kësaj marrëveshje.

Nga kjo parti, zyrtarë të së cilës kanë bërë thirrje për vendosje sa më të shpejtë të marrëdhënieve diplomatike mes Prishtinës dhe Shkupit thonë se miratimi shpejtë i ligjit për ratifikimin e dokumentit që parashikon shënimin e vijës kufitare mes dy vendeve, lë hapsirë për dyshime.

BBC mëson se ngjarjet po zhvillohen me ndërmjetësim direkt ndërkombëtar, sidomos amerikaneve, të cilët edhe zyrtarisht kanë përkrahur marrëveshjen e arritur mes dy vendeve për përfundimin e proçesit të shënimit të kufirit.

Zyrtarë shqiptarë të qeverisë në Shkup thonë se pas pak orësh Kosova dhe Maqedonia do të merren vesh që të hapin ambasada në kryeqytetet përkatëse.

Maqedonia njohu pavarësinë e Kosovës rreth një vit më parë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat