Maqedoni, 20 raste të reja të gripit të derrave

Maqedonia

Maqedoni, 20 raste të reja të gripit të derrave

Më: 9 nëntor 2009 Në ora: 15:18

20 të tjerë të prekur me virusin H1N1, gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoni. Lajmi bëhet i ditur nga Instituti i Shëndetit Publik gjatë mbledhjes së komisionit për ecurinë e pandemisë së gripit. Nëntë, prej 20 personave të prekur së fundi, vazhdojnë kurimin në klinikën për sëmundje infektive. Për parandalimin e përhapjes së gripit, komisioni ka sjellë disa rekomandime; që nxënësit e shkollës së mesme ‘Llazar Taneveski’ të sapo kthyer nga ekskursioni në Turqi, të mos vijojnë mësimin edhe për shtatë ditët në vijim. Personat e prekur me këtë virus dhe që janë në kurim shtëpiak të qëndrojnë të izoluar, të paktën edhe për shtatë ditë të tjera, të shmangen tubimet masive, të kufizohen vizitat e të sëmurëve në institucionet shëndetësore, si dhe ata që kanë simptome të gripit të paraqiten te mjeku amë. Po ashtu, edhe mjekët duhet të bëjnë kujdes gjatë diagnostikimit, duke përdorur maska mbrojtëse.

Situatë akoma më alarmante se Maqedonia, në rajonin e Ballkanit, po përjeton Serbia, e cila pritet të shpallë Pandemi në gjithë territorin. Deri tani nga ky virus, kanë vdekur shtatë persona ndërsa gjashtë të tjerë janë në gjendje kritike. Numri i përgjithshëm i të prekurve nga ky virus në Serbi është 244. Më gjerë, Ukraina shënon numrin më të madh të viktimave nga ky virus, 144 persona. Që nga fillimi i pandemisë, janë prekur mbi 900 mijë persona. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Ukrainë nga ky virus janë prekur mbi 65 mijë persona ndërsa 9 prej tyre vdiqën. Për këtë arsye, Sllovenia urdhëroi mbylljen e kufirit me Ukrainën. Në Itali numri i të vdekurve nga ky virus është rritur në 32. Dy viktimat e fundit janë një foshnjë 8 muajsh dhe një 75 vjeçar. Sipas autoriteteve shëndetësore italiane, nga gripi H1N1, deri tani janë prekur 700 000 persona prej të cilëve 200 000 janë nën moshën 14 vjeçe. Në Iran nga gripi i derrave kanë vdekur 33 persona. Shifrat e mëdha të të prekurve nga gripi i derrave, kanë detyruar autoritetet kineze që më 16 nëntor të fillojnë vaksinimin falas për të gjithë banorët e Pekinit. Statistikat në këtë vend, tregojnë se deri tani janë prekur 52 mijë njerëz, ndërsa 16 kanë vdekur.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat