Blerim Reka: Maqedonia, kampione në procesin e liberalizimit të vizave

Maqedonia

Blerim Reka: Maqedonia, kampione në procesin e liberalizimit të vizave

Më: 12 nëntor 2009 Në ora: 15:44

Miratimi i rezolutës së Parlamenti Evropian për heqjen e vizave për Maqedoninë dhe disa vende tjera të Ballkanit që u bë sot, është komentuar shumë pozitivisht nga ambasadori Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian në Bruksel, Blerim Reka.

Sigurisht që ky është një lajm i mirë për Ballkanin dhe atë me një simbolikë të veçantë, në 20 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit. Sot faktikisht fillon me miratimin e Rezolutës, kurse besoj me 30 nëntor kur ministrat e punëve të brendshme të vendeve anëtare të BE-së edhe formalisht do ta aprovojnë këtë vendim, do të bie pjesërisht edhe muri i Shengenit, thotë ambasadori Reka.

Shqiptarët e Maqedonisë do të jenë shqiptarët e parë të Ballkanit që do ta kenë privilegjin të lëvizin lirshëm në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian thotë ai.

“Maqedonia është dëshmuar kampione në procesin e liberalizimit të vizave kështu që qytetarët e saj do të jenë të parët nga Ballkani perëndimor që do të lëvizin lirshëm nëpër Evropë. Nisur nga ky fakt edhe shqiptarët e Maqedonisë do të jenë shqiptarët e parë të Ballkanit që do ta kenë këtë privilegj të lëvizin lirshëm në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, deklaron Blerim Reka.

Sipas tij lajme të mira do të ketë edhe për Shqipërinë, Bosnjën dhe Kosovën:

“Për Shqipërinë dhe Bosnjën do të ketë lajm të mirë, por sigurisht kjo do të jetë në gjysmën e dytë të viti të ardhshëm, kurse pres që edhe Kosova të futet në procesin e dialogimit për heqjen e vizave. Nëse do të rrumbullakojmë këto që thamë, atëherë mund të konstatojmë se 10 vjet pas luftërave në Ballkanin Perëndimor dhe 20 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit në periudhën midis viteve 2010 – 2011, shpresoj se qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor do të mund të lëvizin pa viza në shtete e Shengenit”, ka thënë ambasadori Reka

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat