Tetova do t'i organizojë pritje madhështore presidentit Bamir Topi

Maqedonia

Tetova do t'i organizojë pritje madhështore presidentit Bamir Topi

Më: 14 prill 2010 Në ora: 18:31

“Të nderuar qytetarë, Tetova është përpara një ngjarjeje tepër të rëndësishme. Të enjten më 15 prill nga ora 10:00 deri më ora 13:00, në komunën e Tetovës do të qëndrojë për vizitë presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi”, tha të mërkurën në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i komunës së Tetovës, Flakran Pustina.

Tashmë nga ana e komunës janë bërë të gjitha përgatitjet protokollare për pritje dinjitoze të presidentit Topi. Sipas tij, në kuadër të këtyre përgatitjeve komuna ka vendosur koordinim të plotë me Sektorin për Punë të Brendshme të Tetovës, ndërkohë që janë bashkërenduar të gjitha aktivitetet për ditën e pritjes së presidentit Topi.

“Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, do të pritet nëpërmjet një ceremonie madhështore në komunën e Tetovës. Ftojmë qytetarët e Tetovës që t’i bashkohen kësaj pritjeje dhe me dinjitet të plotë të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje tepër të rëndësishme për qytetin tonë”, tha Pustina.

Ai ka bërë të ditur se akset rrugore nëpër të cilat do të kalojë eskorta presidenciale, në relacionin nga rruga Iliria, rruga Bllagoja Toska deri te udhëkryqi i kësaj rruge, pastaj rruga Dervish Cara deri në bulevardin Ilinden si dhe nga Unaza për në Kodrën e Diellit deri te rruga e Gostivarit, që nga mëngjesi i ditës së enjte deri në përmbylljen e vizitës do të jenë të ndaluara për qarkullim dhe parkim të automjeteve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat