Presidenti Topi takon drejtuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni, si dhe vizitojë permendoren e Nënë Terezës

Maqedonia

Presidenti Topi takon drejtuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni, si dhe vizitojë permendoren e Nënë Terezës

Më: 15 prill 2010 Në ora: 11:33

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi dje pasdite takime të veçanta me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për integrim të Maqedonisë, Ali Ahmeti, me Kryetarin e Partisë “Demokracia e Re”, Imer Selmani, si dhe me Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi.

Në këto takime, Presidenti Topi vlerësoi kontributin e dhënë nga faktori shqiptar në Maqedoni në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve shumë të mira, që ekzistojnë mes dy vendeve tona, po ashtu dhe në ruajtjen e një rajoni të sigurt e të stabilizuar.

Në të njëjtën kohë, gjatë këtyre bisedimeve, Kryetari i Shtetit shqiptar shkëmbeu mendime me bashkëbiseduesit për disa prej zhvillimeve të fundit politike në Maqedoni të cilat i ka ndjekur me një vëmendje të posaçme. Presidenti i Republikës inkurajoi palët të tregojnë maturi e veprim politik të përgjegjshëm dhe vuri në dukje se partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet të forcojnë së pari dialogun politik mes tyre për të treguar se faktori shqiptar di të përballojë sfida të rëndësishme, dhe së dyti, se ky faktor di dhe duhet të nxisë në vazhdimësi bashkëpunimin, integrimin, angazhimin e veprimin institucional.

Nga ana e tyre, Ahmeti, Selmani dhe Thaçi shprehën nderin e veçantë të takimit me Presidentin e Shqipërisë dhe nënvizuan faktin se faktori shqiptar në Maqedoni do të vazhdojë përpjekjet e tij në ruajtjen e ekuilibrave dhe të standardeve demokratike në shoqërinë maqedonase, duke e ruajtur dhe forcuar rolin e tij si urë e fortë lidhëse mes dy popujve të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, po ashtu dhe në shërbim të përmbushjes së aspiratës së qytetarëve maqedonas për integrimin euroatlantik.

* * *

Gjatë ditës së djeshme, Presidentin e Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi e vizituan drejtues të Lëvizjes Qytetare Zgjohu, të cilët i dorëzuan Kryetarit të Shtetit shqiptar një medalje simbolike në shenjë mirënjohjeje “për kontribut të jashtëzakontë në afirmimin e çështjes shqiptare në Maqedoni dhe për angazhimin fisnik në promovimin e vlerave të mirëfillta kombëtare”.

Duke shprehur falenderimet, Presidenti Topi vuri në dukje se promovimi i vlerave dhe traditës më të vyer e të lashtë të kombit dhe popullit shqiptar është një mision i lartë i çdo shqiptari e për më tepër nga ana e tij, me cilësinë e Presidentit të Republikës, plotësimi i një detyrimi kushtetues e institucional.

* * *

Me një interes të veçantë gjatë vizitës zyrtare të Presidentit Topi në Shkup ishte dhe vizita që Kryetari i Shtetit shqiptar zhvilloi në muzeumin në nder të Nënë Terezës, simbolit të dashurisë, mirësisë, dhembshurisë, përkushtimit, sakrificës dhe vetëmohimit për jetët njerëzore. Me përulje dhe nderim të thellë, Presidenti Topi vuri një buqetë me lule në bustin e gruas e cila me vlerat, virtytet e saj humane bëri për vete mbarë botën, duke përcjellë mesazhet më të qarta, sa të thjeshta aq edhe të aq edhe përjetësisht kuptimplote të lartësimit që dinjitetit dhe ekzistencës njerëzore.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat