Presidenti Topi dhe Presidenti maqedonas Ivanov përshëndetën Forumin ekonomik të biznesit maqedonas-shqiptar

Maqedonia

Presidenti Topi dhe Presidenti maqedonas Ivanov përshëndetën Forumin ekonomik të biznesit maqedonas-shqiptar

Më: 15 prill 2010 Në ora: 11:49

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorgje Ivanov përshëndetën sot Forumin ekonomik të biznesit maqedonas-shqiptar, të mbajtur në Shkup, me pjesëmarrjen e një grupi të rëndësishëm të biznesit të dy vendeve fqinje.

Presidenti shqiptar, Bamir Topi, në fjalën e tij përshëndetëse u shprehu mirënjohjen sipërmarrësve të vendit fqinj dhe të gjitha strukturave shtetërore dhe private ekonomike dhe financiare maqedonase për kontributin që kanë dhënë dhe japin në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve reciproke, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal. Në të njëjtën kohë, Presidenti vuri në dukje se ka ende nevojë për të punuar në drejtim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit ekonomik shqiptaro-maqedonas në ato standarde ku aktualisht gjendet bashkëpunimi politik bilateral. Duke vënë në dukje resurset e rralla natyrore që kanë dy vendet tona, Kryetari i Shtetit shqiptar u shpreh se ne duhet të tregohemi mjaft të kujdesshëm dhe rigorozë në hartimin dhe zbatimin e strategjive që do të mundësonin zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e ekosistemit në këto zona.

Në vijim, Presidenti Topi u ndal dhe në disa prej projekteve konkrete të shtetit shqiptar për përmirësimin e hapësirave infrastrukturore në vend, çfarë, së bashku me mundësitë që rrjedhin nga liberalizimi i lëvizjes së lirë, do të kontribuonin në rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve tregtare bilaterale dhe rajonale, po ashtu dhe në krijimin e ridimensionimin e bashkëpunimit ekonomik. Gjithashtu, Kryetari i Shetit vuri në dukje interesimin e palës shqiptare për rritjen e investimeve të kompanive prestigjioze ndërkombëtare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera përreth. Në këtë kontekst, Presidenti Topi nënvizoi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e energjitikës për krijimin e një sistemi energjitik integral, bashkëpunimit ndërkulturor, në fushën e turizmit, bujqësisë, etj.

Edhe Presidenti maqedonas Ivanov ndau të njëjtin mendim me Presidentin Topi për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dypalësh duke shprehur besimin se ky do të ishte një kontribut mjaft i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme dhe thellimin e forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi do të vizitojë sot Tetovën, ku do të ndalet në Universitetin e këtij qyteti dhe më pas do të jetë për një vizitë dhe në Komunën e Dibrës ku pritet të marrë titullin “Qytetar Nderi”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat