Presidenti Topi nderohet me titullin “Dr. Honoris Causa” nga Universiteti Shtetëror i Tetovës

Maqedonia

Presidenti Topi nderohet me titullin “Dr. Honoris Causa” nga Universiteti Shtetëror i Tetovës

Më: 15 prill 2010 Në ora: 22:11

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u prit sot në Tetovë nga Kryetari i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, ndërkohë që në rrugët e qytetit qindra qytetarë tetovarë përshëndetën Kreun e Shtetit dhe në hare e me dashamirësi i uruan ngrohtësisht mirëseardhjen.

Zoti Bexheti e falenderoi Presidentin e Republikës për këtë vizitë të rëndësishme në qytetin e Tetovës, i cili për herë të parë pret zyrtarisht Kryetarin e Shtetit shqiptar. Kryetari i Bashkisë së Tetovës i shprehu gjithashtu Presidentit Topi mirënjohjen për mbështetjen e shtetit shqiptar ndaj Maqedonisë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Për Presidentin Topi kjo pritje ishte “shumë e ngrohtë dhe vëllazërore”. Kryetari i Shtetit vuri në dukje se shteti shqiptar është tepër i vëmendshëm ndaj shqiptarëve në Maqedoni e kudo ndodhen dhe ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare që kanë të bëjnë me jetën, mirëqenien dhe ardhmërinë e tyre për zhvillim. Presidenti vlerësoi rolin moderues dhe konstruktiv të faktorit shqiptar për një rajon të qetë e të stabilizuar, me një ekonomi të zhvilluar dhe vuri në dukje se brezat e rinj aspirojnë të jetojnë në paqe e në harmoni, në shoqëri të zhvilluara, me institucione të qëndrueshme dhe që gjenerojnë progres e drejt këtyre synimeve duhet orientuar puna e gjithësecilit qytetar.

Pas këtij takimi, Presidenti Topi vizitoi Universitetin Shtetëror të Tetovës. Për nder të laurimit të tij me titullin më të lartë “Dr. Honoris Causa” ishte organizuar një ceremoni solemne me praninë e drejtuesve më të lartë të këtij institucioni akademik, drejtues të partive politike shqiptare, përfaqësues të qeverisë maqedonase dhe të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve të tjera akademike, kulturore të Maqedonisë dhe nga Shqipëria, profesorë të nderuar e studentë të këtij Universiteti, udhëheqës fetarë, përfaqësues të medias, etj.

Në fjalën e tij me këtë rast, Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Agron Reka, i cili vuri në dukje faktin se është në nderin e këtij Universiteti të vlerësojë personalitete të shquara për rezultate të mirënjohura dhe veprimtari të larta njerëzore. Në vijim ai përshkroi strukturën dhe veprimtarinë e Universitetit Shtetëror të Tetovës, si dhe me disa prej arritjeve në kuadrin akademik për thellimin e dijeve, promovimin e vlerave shkencore, teknologjike dhe në mënyrë të veçantë atyre njerëzore në shërbim të qytetarëve dhe në funksion të përmbushjes së misionit për njohuri të vërteta dhe zhvillim.

Pas leximit të një biografie përmbledhëse të veprimtarisë akademike, shkencore, publicistike, universitare, pedagogjike dhe politike të Presidentit Topi, Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës i dorëzoi Kryetarit të Shtetit shqiptar titullin e lartë akademik “Dr. Honoris Causa”, të miratuar njëzëri nga Senati i këtij Universiteti, me motivacionin: “Për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm për krijimin e kushteve për paqe, për ruajtjen e vlerave dhe të dinjitetit njerëzor e kombëtar, për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit, të shkencës dhe lirive akademike.”

Nga ana e tij, Presidenti Topi shprehu respektin e tij të thellë për jetën akademike, universitare, për profesorët dhe stafet akademike që mbartin mbi vete misionin tepër fisnik të edukimit të brezave të aftë profesionalisht, por edhe me vlera e virtyte të larta humane. Përmbushja e këtij misioni, vuri në dukje Kryetari i Shtetit shqiptar, është garancia më domethënëse për një shoqëri të civilizuar e me standarde demokratike. Presidenti i Republikës theksoi se ndihet i nderuar për vlerësimin e lartë që Universiteti Shtetëror i Tetovës i bëri përmes dhënies së titullit “Dr. Honoris Causa” dhe i uroi trupit të tij akademik suksese në përmbushjen e detyrës për rritjen në vijimësi të cilësisë së dijeve, të zhvillimit të aktiviteteve akademike dhe në kuadrin e rrjeteve ndërkombëtare universitare dhe në gjenerimin e ideve dhe strategjive zhvillimore, tek të cilat mund të orientohet dhe politika për vendimmarrje të rëndësishme.

Ceremonia solemne e laurimit të Presidentit Topi u përmbyll me ekzekutimin e pjesëve klasike nga korri dhe pedagogë të këtij universiteti.

Gjithashtu, gjatë qëndrimit në qytetin e Tetovës, Presidenti Topi vizitoi dhe Xhaminë e Larme në këtë qytet, si dhe kompleksin “Arabati Baba Teqe”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat