Maqedoni:Shqiptarëve akoma u mohohet shtetësia

Maqedonia

Maqedoni:Shqiptarëve akoma u mohohet shtetësia

Më: 25 qershor 2010 Në ora: 18:19

Ministria e Punëve të Brendshme ka aplikuar kontrolle të rrepta lidhur me lëshimin e shtetësive, ndërsa përkohësisht siç bëhet e ditur është dhënë urdhër për një bllokadë të heshtur për të mos shtuar numrin e shtetësive, sidomos për komunitetet jomaqedonase.

Kjo bëhet e ditur nga burime pranë MPB-së, të cilët theksojnë se deri me regjistrimin e vitit të ardhshëm, vështirë është që të merret shtetësia.

Qindra familje shqiptare akoma vazhdojnë të përballen me këtë padrejtësi. Nga zyra e Avokatit të Popullit theksojnë se problemi i shtetësive është një ndër problemet kryesore dhe me përplot ankesa në Kumanovë, Shkup dhe rajonin e Tetovës.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i MPB-së, Xhevat Buçi ka theksuar se po ndjekë problemin e shtetësive, sidomos që sipas tij, kanë peripeci shumë familje shqiptare.

“Ne jemi të kyçur në këtë proces dhe jemi duke zgjidhur këto probleme. Por, duhet të kuptojmë se këto janë çështje që nuk zgjidhen brenda natës, por merr një kohë të gjatë. Së shpejti gjithë ata që kanë aplikuar apo janë procedurë do të kenë përgjigje”, ka theksuar zëvendësministri, Buçi.

Ministrja e MBP-së, Gordana Jankullovska kohë më parë ka deklaruar se problemi që kanë shqiptarët e Maqedonisë me shtetësitë nuk është më në rend dite, ndërsa sipas saj me këtë problem tani ballafaqohen kryesisht komuniteti rom. Ndryshimet e vitit 2004 në Ligjin për shtetësi, megjithatë ka lënë pa zgjidhur këtë problematikë për shumë shqiptarë në Maqedoni.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat