Ademi: Çdo institucion duhet të përkushtohet në implementimin e M0-së

Maqedonia

Ademi: Çdo institucion duhet të përkushtohet në implementimin e M0-së

Më: 14 gusht 2010 Në ora: 14:45

Mbrëmë në hotelin "Aleksandar pallas" në Shkup, me rastin e shënimit të 9-vjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit pranë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë organizoi pritje, ku morën pjesë lideri i BDI-së Ali Ahmeti, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Trajko Veljanovski, ministra të Qeverisë së Maqedonisë, deputetë, ambasadori amerikan në vend, Filip Riker, e tjerë.

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi me këtë rast potencoi se mbetet angazhimi i secilit institucion, i cili duhet të jetë i përkushtuar që ta implementojë Marrëveshjen e Ohrit deri në fund.

"Ne jemi vetëm koordinatorë të aktiviteteve, ndërsa mbetet angazhimi i secilit institucion që duhet të përkushtohet në implementimin e Marrëveshjes deri në fund. Duke folur për perspektivën e Marrëveshjes së Ohrit, lirisht mund të them se perspektiva e Maqedonisë evropiane është ngushtë e lidhur me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit", tha Ademi.

Ai shtoi se edhe atëherë, por edhe tani BE-ja konstaton se Maqedonia përparon në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, por se duhet edhe më tej të vazhdojë me zbatimin e saj.

"Në disa sfera ka më shumë përparim, në disa vërehet përparim, megjithatë ka edhe shumë të punohet dhe të përfundohet në këtë Marrëveshje", potencoi Ademi.

Mbrëmë u mbushën nëntë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit në vitin 2001 dhe u vendos kornizë për bashkëjetesë ndëretnike dhe perspektivë euroatlantike të vendit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat