Osmani takim me banorët e Balindollit

Maqedonia

Osmani takim me banorët e Balindollit

Më: 10 janar 2011 Në ora: 18:12

Turi i takimeve të kryetarit të Gostivarit, Rufi Osmani me qytetarët e vendbanimeve më të mëdha të Gostivarit, përfundoi në fshatin Balindoll. Këshilltari komunal nga Balindolli, Fejsal Jakupi, në pika të shkurta përmendi disa nga projektet të cilat udhëheqja aktuale komunale ka realizuar në këtë fshat, për më pak se dy vjet.

“U asfaltua rruga kryesore Gostivar-Balindoll. U sanua dhe u asfaltua rruga në drejtim të fshatit Çajlë. U asfaltuan edhe disa rrugë jo kryesore të fshatit, si dhe u ndërtua kanalizimi. Vlen të përmendet gjithashtu edhe ndërtimi i shkollës, projekt ky i cili u përmbyll dhe në pjesën më të madhe u pagua nga kjo udhëheqësi komunale”, tha mes tjerash Jakupi.

Kryetari Osmani më shumë u ndal në projektet të cilat planifikohen për vitin 2011. “Planifikojmë që gjatë prillit ose majit të fillojmë realizimin e projektit më të cilin do të lidhet qendra e fshatit me shkollën, do të ndërtojmë kanalizim, trotuar si dhe një shesh. Vlen të përmendet se ish garnitura komunale kishte paguar vetëm 100 mijë euro për shkollën që kushtonte 350 mijë euro.

Brenda këtij viti do ta rregullojmë edhe oborrin e kësaj shkolle”, theksoi Osmani, duke nënvizuar se Komuna e Gostivarit në Balindoll ka investuar më shumë se në cilindo fshat tjetër. “Përafërsisht janë investuar rreth 500 mijë euro mjete të komunës, që kurrë nuk është investuar aq në këtë fshat. Seriozisht analizojmë mundësinë që ta asfaltojmë edhe rrugën përskaj hekurudhës që shpie deri te kisha, ose të paktën ta rikonstruojmë atë brenda vitit. Vitin tjetër me siguri kjo rrugë do të kompletohet edhe me asfalt edhe me kanalizim”, nënvizoi kryetari i komunës së Gostivarit.

Ai përmendi sukseset në sferën e marrjes së kredive me kushte të volitshme dhe për një afat të gjatë të kthimit. ”Ajo që neve na bën të dallohemi nga të tjerët është se ne qeverisim në mënyrë transparente, me nder dhe hapur, me të gjitha kompetencat që i ka komuna. Ne kemi bërë përpjekje që të gjitha kompanive që kanë konkurruar t’u japin në mënyrë të barabartë punë. Mbi 90 për qind të punëve të realizuara ne i kemi paguar, ndërsa ata para nesh paguanin vetëm 10 për qind, e për t’i marrë mjetet tjera realizuesit e punëve, duhej të lusin”, theksoi Osmani duke sqaruar gjithashtu se edhe në lidhje me punësimet, kjo përbërje komunale ka punuar drejtë.

Osmani u ndal edhe në ligjin për legalizimin e objekteve duke theksuar se ky ligj i favorizon ata që kanë ndërtuar pa leje, por pavarësisht nga kjo ai ftoi të pranishmit që të paraqesin kërkesë për legalizimin e objekteve të tyre dhe se Komuna do të forcojë kapacitetet e shërbimit për këtë dedikim. Gjithashtu, foli edhe për terminin kohor të realizimit të regjistrimit të popullatës, duke theksuar se kjo paraqet një lëshim të partisë shqiptare në pushtet. Sa i përket formimit të një subjekti të ri politik, Osmani theksoi se në zgjedhjet lokale qytetarët ia besuan atij mandatin dhe ai me ekipin e tij u përpoq që ta çojë me nder.

“Por ne s’mund të ngelim me aktivitetin tonë vetëm në nivel komunal. Ka shumë çështje të cilat i kapërcejnë kufijtë nga pozicioni i komunës. Neve na pret një rrugë e gjatë për ta ndryshuar pozicionin tonë. Jam i bindur se ne kemi nevojë për ndryshime shumë serioze në politikë. Nuk mjafton që dikush të ketë një program, është shumë me rëndësi që të kemi njerëz që kanë aftësi, dituri, që njohin kundërshtarët tanë në institucionet dhe që janë të ndershëm. Unë mendoj se e kam dëshmuar se jam i atillë dhe se më shoqërojnë bashkëpunëtorë të atillë. Mendoj se ka nevojë për një opsion të ri i cili jo vetëm që do të merr pjesë, por edhe do te fitojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”. Në fund të takimit u hap një debat i gjerë mes banorëve të Balindollit dhe kryetarit të komunës, si për çështje komunale ashtu edhe për çështje politike në Maqedoni.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat