PDSH nuk pajtohet me statusin e gjuhës shqipe

Maqedonia

PDSH nuk pajtohet me statusin e gjuhës shqipe

Më: 11 janar 2011 Në ora: 17:12

Partia Demokratike Shqiptare thotë se do ti rikthehet edhe njëherë çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe gjatë qeverisjes VMRO-BDI, e cila jo vetëm që është degraduar po nga dita më ditë përdorimi i saj institucional ngushtohet.

“Ali Ahmetit dhe grupit të tij të BDI-së nuk i lenë fare përshtypje se me ndalesë administrative ndalohet përdorimi i gjuhës shqipe në muzeun e alfabetit në Manastir. Ky vendim që në muzeun ku është themeluar alfabeti i gjuhës shqipe mos të lejohet përdorimi i gjuhës shqipe jo vetëm që paraqet absurd në vete por është një ofendim për mbarë shqiptarët”, deklaroi zëdhënësja e PDSH-së, Rudina Shaqiri, njofton agjencia e lajmeve INA.

Ajo tha se, Ali Ahmeti duhet të përgjigjet pse ndalohet përdorimi i gjuhës shqipe në mbrojtjen e temave në katedrën e albanologjisë në Shkup.

“Në katedrën albanologjike tema duhet të shkruhet dhe të mbrohet në maqedonisht. Përdorimi i gjuhës shqipe nëpër institucionet qeveritare është degraduar deri në atë masë sa që vetë ministrat e BDI nuk e përdorin, nuk i azhurnojnë wb-faqet edhe në gjuhën shqipe”, u shpreh Rudina.

PDSH bënë të ditur se në ueb faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, shkollat shqipe të cilat e kanë ndërruar emrin kohë më parë, ende shkruhen sipas emrit të vjetër, kurse emri i tyre i ri në shqip që është edhe zyrtare është shkruar në kllapa.

“Krahas mos përfaqësimit adekuat të shqiptarëve në Prokurorinë publike, aty nuk përfillet edhe përdorimi i gjuhës shqipe. Gjuha shqipe, përdorët vetëm në procedurë kur palët kërkojnë përkthyes. Kjo nënkupton se përdorimi i gjuhës me përkthyes është e drejtë që i përket kategorisë të të drejtave të njeriut dhe nuk është kategori kushtetuese. Shtrohet dilema se çfarë gjuhe zyrtare është gjuha shqipe, kur të njëjtën nuk e flet organi zyrtar”, theksoi zëdhënësja e PDSH-së.

Sipas saj, Qeveria VMRO-BDI në krye me Gruevskin përmes projekteve monoetnike dhe nacionaliste e riktheu Maqedoninë në vitet e 90-ta kur shqiptarët trajtoheshin si pakicë dhe nuk gëzonin kurrfarë të drejta nacionale.

“Moszyrtarizimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në shtet krahas maqedonishtes, shfuqizimi i disa neneve nga ana e Gjykatës Kushtetuese me të cilat ndalohet përdorimi zyrtar i flamurit shqiptar, diskriminimi në punësimin e shqiptarëve në institucionet e shtetit si dhe mosrespektimi i shumë ligjeve tjera dëshmojnë se pozita e shqiptarëve jo që nuk është avancuar por përkundrazi ka shënuar regres”, shtoi ajo.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat