Mubaraku ikën, ushtria merr drejtimin

Bota

Mubaraku ikën, ushtria merr drejtimin

Më: 11 shkurt 2011 Në ora: 18:54

Presidenti egjiptian, Hosni Mubarak, dha dorëheqjen dhe zyra e tij kërkoi nga ushtria që të marrë në dorë drejtimin e vendit.

Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate të shkurtër nga zëvendëspresidenti Omar Sulejman.

“Bashkëqytetarët e mi, në këto kohë të vështira, nëpër të cilat po kalon vendi, presidenti Hosni Mubarak ka vendosur të largohet nga posti i presidentit. Ai ka ngarkuar Këshillin Suprem të ushtrisë të marrë në dorë çështjet e shtetit. Zoti na mbroftë”, tha Sulejman.

Lajmi bëri që qindra mijëra protestuesit të shpërthenin në brohoritje, përqafime e lot. “Populli e rrëzoi regjimin”, thërrisnin protestuesit në sheshin Tahrir pak minuta pasi Sulejman lexoi në televizionin shtetëror deklaratën e largimit të Mubarakut.

Fituesi i çmimit Nobel për Paqe dhe një nga figurat e opozitës egjiptiane, Mohamed el Baradai, tha pas lajmit për largimin e Mubarakut se “kjo ishte dita më e mirë e jetës” së tij.

“E kemi pritur këtë ditë me dekada. Të gjithë presim të bashkëpunojmë me ushtrinë për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme. Pres me padurim këtë periudhë tranzicioni ku pushtetin do ta ndajnë ushtria dhe populli”, tha El Baradei.

Agjencitë e lajmeve raportojnë se Këshilli Suprem do të shpërndajë kabinetin dhe do t'i pezullojë të dyja dhomat e Parlamentit dhe do të bashkëqeverisë me kreun e Gjykatës Kushtetuese.

Nuk munguan as reagimet e para pas lajmit për largimin e Mubarakut.

Izraeli ka shprehur shpresën për një tranzicion të qetë. “Shpresojmë se tranzicioni drejt demokracisë për Egjiptin dhe fqinjët e tij do të bëhet qetësisht”, deklaruan burimet zyrtare izraelite për agjencinë franceze të lajmeve.

Mubaraku, së bashku me familjen, është larguar nga Kajroja drejt Sharm el Sheikut, qytetit bregdetar që është dhe rezidencë për drejtuesit e shtetit. Ai e shtoi ndjeshëm zemërimin e protestuesve me fjalimin e së enjtes, ku përsëriti se do të mbetet në presidencë deri në shtator, kohë kur do të mbaheshin zgjedhjet e reja presidenciale.(i.b)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat