Është rritur niveli i rrezatimit në ajër afër Fukushimës

Bota

Është rritur niveli i rrezatimit në ajër afër Fukushimës

Më: 15 mars 2011 Në ora: 08:15

(I plotësuar)-Niveli i rrezatimit në ajër është 4-fishuar në afërsi të centralit japonez të Fukushimës, ku u verifikua sot një tjetër shpërthim, njoftoi "Tepco", që drejton impiantin.

Kompania njoftoi se kishte evakuuar të gjithë punonjësit e saj nga zona e reaktorit nr. 2, ku ndodhi edhe shpërthimi.

Autoritete japoneze kanë konfirmuar se niveli i rrezatimit pas shpërthimit është nën atë ç’ka mund të shkaktonte një kontaminim në shkallë të gjerë.

* * * * * * *

Rritet radioaktiviteti në Fukushima

Zyrtarët në Japoni thanë se nivelet e radioaktivitetit në centralin bërthamor Fukushima janë më të larta pas shpërthimit të tretë në njërin reaktor dhe zjarrit në tjetrin.

Kryeministri japonez Naoto Kan ka thënë se radioaktiviteti rreth centralit në Fukushima është rritur dukshëm, ndërsa sekretari i kabinetit Jukio Edano ka thënë se niveli është mjaft i lartë sa të rrezikojë jetët e njerëzve.

"Kishte shpërthime të hidrogjenit në reaktorin numër 1 dhe numër 3, dhe zjarr në reaktorin numër 4. Në këtë zonë ka radioaktivitet dhe niveli i tij është mjaft i lartë ", ka thënë kryeministri Kan.

Ai u ka bërë thirrje njerëzve që jetojnë në një rreze prej 30 km nga kompleksi në veri të Tokios të mbeten në shtëpi, dhe paralajmëroi për rrjedhje radioaktive.

"Radioaktiviteti është shpërndarë nga këta reaktorë dhe nivelet e regjistruara duken shumë të larta. Ka rrezik që të dalë edhe më shumë material radioaktiv", tha Kan.

Sekretari i kabinetit Edano u apeloi njerëzve të përgatiten për pasojat e mundshme.

"Kuptohet se pasojat e mëtejme mund të ndikohen nga moti, por njerëzit në këtë zonë duhet të mos kenë kontakt me ajrin sa më shumë të jetë e mundur. Do të doja t'i ftoj njerëzit që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre", tha Edano.

Sekretari i kabinetit paralajmëroi se njerëzit mund t'i ndjejnë pasojat për shëndetin e tyre.

"Nuk mund të jetë gabim se ky nivel i radioaktivitetit mund të ketë ndikim tek njerëzit", tha Edano.

Zyrtarët thanë se 50 punonjës ende përpiqen të derdhin ujë në reaktorët për të zbritur temperaturën brenda tyre. Ata thanë se 800 të tjerë janë evakuuar.

Në centralin Fukushima kanë ndodhur gjithsejt katër shpërthime nga tërmeti dhe cunami i së premtes.

Në Tokio, 240 km më në jug, nivelet e radioaktiviteti u raportuan më të larta, kurse kompania ajrore kineze i anuloi fluturimet nga Pekini dhe Shangai për në kryeqytetin japonez.

Incidenti në Fukushima i ka alarmuar edhe zyrtarët në Evropë. Ministrat e energjisë, autoritetet bërthamore dhe zyrtarët e energjisë bërthamore do të takohen sot në Bruksel për t'i rishikuar masat e sigurisë.

Po sot, kancelarja Angela Merkel pritet ta shpallë zyrtarisht pezullimin tre mujor të operacioneve të zgjëruara bërthamore në 17 reaktorët bërthamorë të Gjermanisë.

Kriza bërthamore e goditi Japoninë, në kohën kur vendi ende nuk e ka marrë veten nga tërmeti dhe cunami.

Bilanci i konfirmuar i të vdekurve tash është mbi 2.700, por pritet të shkojë në 10 mijë.

Miliona njerëz janë pa ujë, pa ngrohje apo pa ushqim të mjaftueshëm, ndërsa qindra mijë kanë mbetur pa strehë mbi kokë.

Sot, aksionet japoneze shënuan rënie prej 13 përqind, pas rënies së djeshme prej 7.6 përqind.

>> Fotografi satelitore te Japonisë, para dhe pas tërmetit

>> Reaktorët e paralizuar në centralin bërthamor të Japonisë

>> Hartë interaktive dhe fotografi të vendeve në Japoni që janë dëmtuar nga tërmeti dhe cunamii

>> Japonia kërkon ndihmë për ftohjen e centraleve bërthamore

>> Kryeministri japonez, thirrje njerëzve për të rindërtuar vendin

>> Japoni: Shpërthim i madh në centralin bërthamor të Fukushimas

>> Mbi 1 mijë të vdekur nga tërmeti dhe tsunami në Japoni

>> Asnjë shqiptar nuk ka pësuar nga tërmeti në Japoni

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat