Kriza bërthamore në Japoni e ngjashme me atë të Çernobit

Bota

Kriza bërthamore në Japoni e ngjashme me atë të Çernobit

Më: 12 prill 2011 Në ora: 16:10

Kryeministri japonez, Naoto Kan, tha sot se situata po stabilizohet në uzinën e dëmtuar bërthamore të Fukushimës. Komentet e tij pasuan njoftimin e qeverisë për rritjen e nivelit të krizës sipas standardit ndërkombëtar, duke e kategorizuar atë në të njëjtat nivele me ato të katastrofës së vitit 1986 në Çernobil.

Zyrtarët e ngritën sot klasifikimin e krizës nga shkalla 5 në 7 sipas standardit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, i cili kategorizon një aksident të madh me pasoja të rënda për shëndetin dhe mjedisin.

"Lidhur me vlerësimin e aksidentit dhe problemet në uzinën bërthamore Daiçi të Fukushimës pas tërmetit dhe cunamit të 11 marsit, ne e kemi përcaktuar krizën në nivelin 7, në bazë të informacionit të mbledhur që nga 18 marsi. Por niveli i çlirimit të radioaktivitetit është sa një e dhjeta e atij të çliruar në Çernobil, megjithëse shkalla e aksidentit ishte e njejtë”.

Zyrtarët thonë se vendimi për të ngritur shkallën e aksidentit u bazua në vlerësimin e detajuar të çlirimit të radioaktivitetit nga uzina gjatë muajin të kaluar. Një vlerësim i ngjashëm çoi dje në evakuimin e banorëve nga pesë komunitete jashtë zonës ekskluzive dhe në paralajmërimin për banorët që ndodhen nga 20 deri në 30 kilometra nga uzina të bëhen gati të largohen me shpejtësi.

“Nëse rrjedhja e radioaktivitetit nuk ndalet plotësisht, ka të ngjarë që sasia e përgjithshme e çliruar ka të ngjarë t’ia kalojë asaj të Çernobilit”.

Shefi i kabinetit Jukio Edano theksoi se ndryshe nga aksidenti i Çernobilit në Ukrainë, nuk ka patur “rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin” nga aksidenti i Fukushimës. Në katastrofën e Çernobilit besohet se humbën jetën rreth 20 vetë brenda disa ditësh dhe mijëra të tjerë me kalimin e viteve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat