NATO pret më shumë aeroplanë për të intensifikuar sulmet ajrore në Libi

Bota

NATO pret më shumë aeroplanë për të intensifikuar sulmet ajrore në Libi

Më: 15 prill 2011 Në ora: 19:23

NATO pret që aleatët e koalicionit të dërgojnë më shumë aeroplanë për të intensifikuar sulmet ajrore kundër regjimit të udhëheqësit libian, Moamar Gadafi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Ramussen tha sot, pas një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s Berlin, se përforcimet do të mbërrijnë "në një të ardhme shumë të afërt".

Britania dhe Franca u kanë kërkuar vendeve aleate që të dërgojnë aeroplanë të tjerë luftarakë për të shtuar sulmet kundër objektivave tokësore në Libi.

Media shtetërore libiane njoftoi sot se NATO-ja sulmoi Tripolin lindor, zonë që kontrollohet nga forcat qeveritare.

Udhëheqësit perëndimorë të koalicionit u zotuan sot se NATO-ja do të vazhdojë fushatën ushtarake në Libi derisa Muamar Gadafi të largohet nga pushteti.

Udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara thanë se koalicioni i NATO-s do të vazhdojë fushatën ushtarake në Libi derisa Muamar Gadafi të largohet nga pushteti.

Kryeministri britanik Dejvid Kameron, Presidenti francez Nikola Sarkozi dhe ai amerikan Barak Obama u shprehën se të lejosh Gadafin të qëndrojë në pushtet do të ishte “tradhëti e pandërgjegjshme” ndaj popullit libian.

Në një artikull të përbashkët të botuar në disa gazeta ndërkombëtare, udhëheqësit shkruan se është “e papranueshme që një person, që ka masakruar popullin e vet, të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme” të vendit.

Vajza e Gadafit mbrojti sot të atin, duke kryesuar qindra përkrahës, që u mblodhën përjashta një vile të Gadafit në Tripoli, e cila u bombardua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1986.

Aisha Gadafi i tha grumbullit të njerëzve se dorëheqja e babait të saj do të ishte një "fyerje" për të gjithë libianët.

Në Libi, forcat e Gadafit sulmuan dje me raketa Misratën, qytetin e tretë më të madh të vendit. Kryengritësit antiqeveritarë thanë se të paktën 23 veta u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën. Objekti i sulmit ishte porti i Misratës, lidhja e vetme e kryengritësve me botën e jashtme.

Ndërkaq, televizioni shtetëror i Libisë njoftoi se NATO ka nisur bombardime ajrore ndaj pozicioneve në Tripoli. Dëshmitarët thonë se në qytet pati një sërë shpërthimesh.

Ndërkohë, ministrat e jashtëm të NATO-s janë mbledhur në Berlin për ditën e dytë e të fundit të takimit të tyre, ndërsa përpiqen të kapërcejnë mosmarrëveshjet se si të vazhdohen operacionet ushtarake në Libi. Franca dhe Britania u kanë bërë thirrje vendeve aleate që të intensifikojnë sulmet ajrore kundër forcave të kolonel Gadafit, por vende të tjera kanë shprehur shqetësim rreth zgjerimit të misionit ushtarak.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat