Obama: Çmimi Nobel, thirrje për veprim

Bota

Obama: Çmimi Nobel, thirrje për veprim

Më: 9 tetor 2009 Në ora: 22:05

“E pranoj këtë çmim si thirrje për veprim, thirrje për të gjitha kombet që të përballen me sfidat e përbashkëta të shekullit XXI”, tha presidenti amerikan, Barak Obama, në reagimin e parë pas marrjes së çmimit Nobel.Obama u zgjua mëngjesin e sotëm nga telefonata e zëdhënësit të tij, Robert Gibs, i cili e njoftoi për marrjen e çmimit.

Ai tha se ndihej i nderuar për çmimin, çmim që erdhi vetëm dhjetë muaj pas mbërritjes në Shtëpinë e Bardhë.

“Komiteti Norvegjez i çmimit Nobel për Paqe vendosi t’ia japë Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2009, presidentit Barak Obama për përpjekjet e tij të jashtëzakonshme në forcimin e diplomacisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes popujve”, deklaroi Thorbjorn Jagland nga Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel.

“Ky çmim nuk është thjesht për përpjekjet e administratës sime. Çmimi është për përpjekjet inkurajuese të njerëzve në gjithë botën. Kjo është arsyeja pse çmimi duhet ndarë me të gjithë ata që luftojnë për drejtësi dhe dinjitet”, tha Obama.

Jagland, nga Komiteti i Nobelit, nënvizoi faktin se Obama ndan të njëjtat vlera si shumica e njerëzve në botë.

“Shumë rrallë mund të ndodhë që një njeri të tërheqë vëmendjen e botës dhe të ofrojë shpresë në shkallë kaq të madhe sa Obama. Diplomacia e tij është ngritur mbi konceptin se, ata që duan ta drejtojnë botën, duhet ta bëjnë një gjë të tillë bazuar mbi vlerat dhe qasjet e shumicës së njerëzve në botë”, vlerësoi Jagland.

Ndërkaq, Obama theksoi se jo të gjitha nismat e ndërmarra do të mund të përmbyllen gjatë presidencës së tij.

“Disa nga detyrat, me të cilat përballemi, nuk do të përfundojnë gjatë presidencës sime. Punë të tilla, si eliminimi i armëve bërthamore ndoshta nuk do të përfundojnë as sa të jem gjallë. Por, jam i bindur se sfidat e tilla do të realizohen për aq kohë sa pranohet se ato nuk do të realizohen nga një njeri, apo nga një komb i vetëm”, deklaroi Obama.

Sipas Jaglandit, Obama është zëdhënësi kryesor i botës.“Për 108 vjet Komiteti Norvegjez i Nobelit ka synuar të nxisë pikërisht këtë politikë ndërkombëtare, e këto qasje, për të cilat Obama është kthyer në zëdhënësin kryesor të botës. Komiteti mbështet thirrjen e Obamës se tani është koha për të gjithë ne që t’i marrim përgjegjësitë tona për përgjigje globale ndaj sfidave globale”, theksoi Jagland.

Obama është presidenti i tretë amerikan në detyrë dhe i katërti në mesin e krerëve të Shtëpisë së Bardhë që nderohet me çmimin Nobel për Paqe.

Në vitin 1908 ky çmim iu dha Rusveltit, kurse në vitin 1919 e mori presidenti Uillson. Në vitin 2002, ish-presidenti Xhimi Karter u nderua me po këtë çmim.

Obama e fitoi çmimin në mesin e 205 kandidatëve të tjerë.

Në mesin e kandidatëve më të mundshëm për këtë çmim ishin përmendur kryeministri aktual i Zimbabvesë, Morgan Çvangirai, disidenti kinez Hu Xhia, aktivisti kolumbian Piedad Kordoba dhe mjekja e aktivistja afgane Sima Samar.

Por, cilat kanë qenë momentet kyçe të jetës së fituesit të çmimit Nobel për Paqe?

Barak Husein Obama, 48-vjeçar, është presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara.

Ai diplomoi në Shkencat Politike në Universitetin Kolumbia, në Nju-Jork, dhe doktoroi në Shkencat Juridike në Harvard. Në vitet 1992-1995 ishte avokat dhe ligjërues i Të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Çikagos.

Anëtar i Senatit të shtetit Illinois u zgjodh në vitin 1996, ndërsa në vitin 2004 u zgjodh anëtar i Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 2005, revista “Time” e radhiti në mesin e 100 personave më me ndikim në botë.

Në shkurt, 2007, Obama shpalli se do të kandidohet për president të Shteteve të Bashkuara.

Obama është i martuar, kurse e shoqja, Mishel, është avokate. Ata kanë dy vajza, Malia dhe Sasha.

Zyrtarisht Obama do ta marrë çmimin në ceremoninë e paraparë të mbahet më 10 dhjetor në Oslo. Çmimi ka një vlerë prej 1.4 milion dollarësh./ rel / bs /

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat