Obama vlerëson ligjvënësit për miratimin e reformës shëndetësore

Bota

Obama vlerëson ligjvënësit për miratimin e reformës shëndetësore

Më: 9 nëntor 2009 Në ora: 00:31

Presidenti Barak Obama vlerësoi lart ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve për "votat kurajoze", që siç tha ai, hodhën ata për miratimin e një projektligji të rëndësishëm të reformës shëndetësore.Duke folur sot në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama tha se ka besim që edhe Senati do ta miratojë projektligjin për reformën shëndetësore.

Por përpjekjet e presidentit për realizimin e kësaj reforme mund të hasin në vështirësi.

Senatori republikan Lindsi Graham tha sot se projektligji i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve nuk ka asnjë shans në Senat. Ai e quajti reformën një projektligj të hartuar nga liberalët dhe për liberalët.

Ligji për reformën do të donte të paktën 60 vota për t’u miratuar në Senat. Pas kësaj, diferencat mes dy versioneve do të duhej të sheshoheshin dhe të dilej me një variant përfundimtar i cili do të kërkonte një tjetër votim para se t’i dërgohej Presidentit Obama për ta firmosur.

Fjala është për një plan i cili nëse miratohet edhe nga Senati, do të kushtonte më shumë se 1 trilion dollarë gjatë më tepër se 10 vjetëve dhe për republikanët kjo është e papranueshme.

NJË FITORE E VËSHTIRË PËR OBAMËN

12 orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve filloi debatin e saj, rezultati përfundimtar ishte 220 vota pro dhe 215 kundër. 39 demokratë votuan kundër projektligjit të propozuar nga udhëheqja e tyre, megjithë angazhimin personal të Presidentit Obama për t’i bërë ata për vete.

Plani parashikon mbulimin me sigurime shëndetësore për dhjetëra miliona amerikanë të cilët nuk janë të siguruar.

Presidenti Obama shkoi dje pas dite në Kongres për të lobuar personalisht në favor të miratimit të projektligjit.

"Ky është momenti për të marrë një vendim të madh. I bëj thirrje anëtarëve të kongresit që t’i përgjigjen këtij momenti, kësaj thirrje të historisë dhe të votojnë për miratimin e reformës në sigurimet shëndetësore për Amerikën."

Presidenti, i cili ka thënë se mundësi si kjo shfaqen ndoshta një herë në 25 vjet, u takua dje me kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi dhe me udhëheqës të tjerë.

Republikanët e kundërshtojnë fuqishëm këtë plan të demokratëve duke thënë se projektligj do të rrisë koston e pagesave mujore të sigurimeve shëndetësore dhe do të dëmtonte bizneset e vogla, duke i penguar të krijojnë vende të reja pune.

Një nga pikat më të debatuara të planit demokrat ka qenë propozimi për të ngritur mes të tjerash një sistem sigurimesh shëndetësore alternativë të administruar nga qeveria, pra që amerikanët të kenë më shumë mundësi të zgjedhin. Por republikanët thonë se kjo do të shtonte kontrollin e qeverisë mbi kujdesin shëndetësor, dhe ata e kundërshtojnë këtë me forcë.//ii

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat