Shënohet 20-vjetori i rënies së Murit të Berlinit

Bota

Shënohet 20-vjetori i rënies së Murit të Berlinit

Më: 9 nëntor 2009 Në ora: 08:13

Sot, në kryeqytetin gjerman përkujtohet rënia e Murit të Berlinit para 20 vjetësh, me 9 nëntor 1989. Më shumë se 100 mijë vizitorë kanë vërshuar në qytet së bashku me udhëheqësit botërorë që janë mblidhur gjithashtu në Berlin për festimet që përfshijnë aktivitete nga më të ndryshmet. Gjatë ceremonive do të përkujtohen edhe 136 personat që u vranë duke u përpjekur ta kapërcejnë murin nga viti 1961 deri në vitin 1989. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Sonja Pejs nga Berlini, përvjetori krijon mundësinë edhe për takime politike të nivelit të lartë.

Tani ai quhet “Festivali i Lirisë” kur qyteti kujton ditën para 20 vjetëve kur ra Muri.

Muri i Berlinit ndau për gati tre dekada me radhë qytetin gjerman mes Lindjes dhe Perëndimit. Ai ishte simboli më i njohur i Luftës së Ftohtë.

Por në fund, protestat dhe revolucionet paqësore në rajon bënë që Muri të binte, duke i hapur rrugë bashkimit të Gjermanisë, duke i dhënë fund Luftës së Ftohtë dhe lëvizjeve gjeopolitike në Evropë dhe përtej saj.

Për të përshkruar rrjedhën e ngjarjeve, përgjatë vendit ku dikur ngrihej Muri, është vendosur një rresht i gjatë prej një kilometri e gjysëm dominosh të mëdha dhe me ngjyra të ndezura.

Kryetari i bashkisë së Berlinit, Klaus Voverait hapi ekspozitën.

"Dominotë janë pikturuar shumica nga të rinjtë gjermanë, por edhe nga vende të tjera të botës,” tha ai.

Zoti Voverait shtoi se projekti synonte t’u mësonte të rinjve atë pjesë të historisë dhe t’i inkurajonte ata të thyenin barrierat kudo që të jenë ato.

Në këtë përvjetor, festimet përfshijnë koncerte në qiell të hapur, fjalime dhe një mbyllje të jashtëzakonshme me fishekzjarre sonte në darkë.

Por për udhëheqësit politikë dhe persona të tjerë të njohur që kanë ardhur nga e gjithë bota, kjo është një mundësi e mirë për takime bilaterale, bisedime dhe fjalime.

Përvjetori i rënies së Murit të Berlinit shërben për të kujtuar të kaluarën. Dhe vija e gjatë e dominove nga Sheshi Potsdamer, para Portës Brandenburg, e deri pranë ndërtesës së parlamentit, përsëri e ndan qytetin, megjithëse vetëm për pak kohë. Dhe në sejcilën anë të vijës së dominove, pllakat me ngjyra do të shtyhen në mënyrë që të rrëzohen njëra pas tjetrës, ashtu siç ndodhi edhe me Murin para dy dekadash.

Organizatorët e ngjarjes thonë se duan që festimet të tërheqin njerëzit e zakonshëm, për të treguar se ishte pikërisht forca e popullit, me ndihmën e udhëheqësve politikë që donin reformë, ajo që e rrëzoi Murin e Berlinit dhe ndryshoi rrugën e historisë. (voa)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat