Obama e Hatojama për aleancën SHBA-Japoni

Bota

Obama e Hatojama për aleancën SHBA-Japoni

Më: 13 nëntor 2009 Në ora: 16:59

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama dhe kryeministri i Japonisë Jukio Hatojama diskutuan sot në Tokio aleancën e sigurisë mes dy vendeve, si dhe çështjet e Afganistanit, mosproliferimit bërthamor dhe ndryshimet klimatike.

Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp, dy liderët gjithashtu thanë se do të fillojnë të rishikojnë aleancën e tyre 50 vjeçare.

Hatojama tha se aleanca ka nevojë t’u përshtatet kohëve që po ndryshojnë, ndërsa Obama tha se aleanca SHBA-Japoni ishte “themel” për paqen në Azi.

Lidhur me Afganistanin, presidenti amerikan deklaroi.

“Kryeministri dhe unë diskutuam për bashkëpunimin tonë lidhur me Afganistanin dhe Pakistanin. Unë e falënderova popullin dhe kryeministrin e Japonisë për përkushtimin e fuqishëm prej 5 miliardë dollarëve në pesë vitet e ardhshme, në mbështetje të përpjekjeve tona në Afganistan, si dhe përkushtimin prej një miliardë dolarë për Pakistanin”, tha Obama.

Japonia ishte ndalesa e parë e Obamës në turneun nëntë ditor në Azi.

Ai gjithashtu do të vizitojë Singaporin, ku do takohet me liderët e rajonit, si dhe Kinën dhe Korenë e Jugut.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat