Kopenhagë: Vendet në zhvillim e refuzojnë planin Obama

Bota

Kopenhagë: Vendet në zhvillim e refuzojnë planin Obama

Më: 19 dhjetor 2009 Në ora: 10:26

Negociatat për ndryshimet klimatike në konferencën ndërkombëtare në Kopenhagë, që sponzorizohet nga Kombet e Bashkuara, e arritën një pikë të krizës, pasi disa vende në zhvillim me hidhërim e refuzuan planin e ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Barak Obama dhe liderët e vendeve të tjera të zhvilluara ekonomikisht.

Disa vende, përfshirë Bolivinë, Venezuelën dhe Sudanin, thanë se marrëveshja për ta luftuar nxehjen globale ishte shumë e butë dhe se ajo në mënyrë jokorrekte ishte përgatitur nga fuqitë kryesore.

Për miratim, marrëveshja duhet të mbështetet në mënyrë unanime nga 193 vendet anëtare të OKB-së.

Zoti Obama, duke folur në konferencë, tha se “ishte arritur një “kthesë kuptimplote dhe e paprecedente” gjatë negociatave ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Kinës, Indisë, Afrikës Jugore dhe Brazilit.

Megjithatë, marrëveshja nuk është juridikisht e obligueshme dhe pritet, që gjatë vitit të ardhshëm, të ketë negociata të mëtejshme për nxehjen globale.

Obama vlerësoi se marrëveshja është e rëndësishme, por pranoi se “duhet të punohet mëtutje” për kompletimin e paktit global.

“Ky progres nuk është bërë lehtë dhe ne e dimë se ky progres si i vetëm nuk është i mjaftueshëm. Për të lëvizuar përpara, ne duhet ta shfrytëzojmë momentin e arritur këtu në Kopenhagë për të siguruar një aksion ndërkombëtar për reduktimin e rëndësishëm të emisionit të gazrave. Ne e kaluam një rrugë të gjatë, por ne duhet të shkojmë edhe mëtutje”, tha presidenti Barak Obama.

Bashkimi Evropian e ka ofruar mbvështetjen e vet për marrëveshje, megjithqë disa liderë të tij me keqardhje konstatuan se marrëveshja nuk ishte juridikisht e obligueshme dhe nuk ndërmerr hapa shtesë drejt luftës për ndryshime klimatike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat