SHBA dërgon trupa të ushtrisë në Haiti

Bota

SHBA dërgon trupa të ushtrisë në Haiti

Më: 14 janar 2010 Në ora: 18:43

Deri në 3500 ushtarë të forcave ajrore do të dërgohen në zonë.

SHBA njoftoi dërgimin edhe të një avioni transportuese dhe anijeve, njëra prej të cilave mund të transportojë dymijë marinsa.

Duke folur per gazetarët në Uashington, Presidenti Obama tha se Haiti duhet të ishte prioriteti kryesor për Shtetet e Bashkuara.

"E kam udhëzuar administratën time që të fillojë një përpjekje të shpejtë dhe të koordinuar për të shpëtuar jetë dhe mbështetur rimëkëmbjen e Haitit."

"Humbjet që ka vuajtur Haiti janë shkatërruese dhe reagimi ndaj katastrofës të kësaj shkalle, do të kërkojë çdo element të kapacitetit tonë kombëtar."

"Diplomacinë tonë dhe mbështetjen për zhvillim, forcën e ushtrisë dhe ç'është më e rëndësishmja dhembshurinë e vendit tonë".

Presidenti Obama dha një mesazh për viktimat e tërmetit:

"Popullit të Haitit i themi qartë dhe me bindje se ju nuk do të braktiseni se ju nuk do të harroheni."

"Në këtë orë të nevojave të mëdha, Amerika është me ju dhe bota është me ju."

Ndihmat për Haitin

Ekipet ndërkombëtare dhe ekipet e shpëtimit filluan të mbërrijnë në Haiti.

Ato kërkojnë mijëra viktima të tërmetit shkatërrues dhe për të sjellë ndihma për të mbijetuarit.

Përpjekjet e deritanishme të shpëtimit kanë qënë ato të vendasve.

Shifrat e deritanishme për numrin e të vdekurve lëkunden nga dhjetëra mijëra në qindra mijëra.

Okb-ja ka ngritur qendra logjistike në aeroport, pasi zyrat e saj qendrore janë shkatërruar.

Një zëdhënës i Kryqit të Kuq, Paul Conneally tha se ishte e vështirë të lëvizje nëpër qytet, por telekomunikacioni ishte rivendosur.

Ai tha se spitalet ishin të tejmbushura me të plagosur.

Mijëra njerëz në Haiti e kaluan natën e dytë jashtë, larg ndërtesave, nga frika e lëkundjeve të tjera pas tërmetit që shkatërroi pjesë të mëdha të vendit të martën.

Korrespondentë të BBC-së në kryeqytetin, Port-au-Prince, thanë se gjatë natës dëgjoheshin njerëz që qanin dhe luteshin.

Shumë ndjehen të frikësuar dhe të vetmuar. Ata gjithashtu përshkruan fëmijë që flinin në mes trupave të vdekur në ambjentet e një spitali.

Të tjerë thonë se shumë rrugë janë të mbushura me kufoma të mbuluara me batanije të bardha.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat