Mbi 600 të vrarë nga tërmeti në Kinë

Bota

Mbi 600 të vrarë nga tërmeti në Kinë

Më: 15 prill 2010 Në ora: 14:33

Punonjësit e emergjencës në Kinën perëndimore po kërkojnë në mes të ftohtit të mbijetuar të tjerë nga tërmeti i fuqishëm i kësaj jave që shkaktoi vdekjen e të paktën 617 njerëzve dhe la mijëra të pastrehë.

Më shumë se 10 mijë veta janë plagosur dhe më shumë se 300 të tjerë figurojnë të humbur pas tërmetit të djeshëm prej 6,9 ballësh, i cili rrëzoi ndërtesa, shkatërroi rrugë dhe prishi linja telefonike në provincën Çinghai, në kufi me Tibetin.

Tërmeti u pasua nga disa pasgoditje të forta, më e madhja ndër to ishte 6,3 ballë. Tërmeti më i fuqishëm e kishte epiqendrën në provincën tibetiane Jushu, në rajonin jugor të Çinghait.

Shumë ndërtesa shkollash u shkatërruan duke lënë studentë të varrosur nën rrënoja. Agjencia zyrtare kineze e lajmeve Sinhua tha se 66 studentë dhe 10 mësues ishin vrarë nga tërmeti.

Qeveria e Pekinit dërgoi rreth pesë mijë ushtarë, punonjës mjekësorë dhe personel në rajon, ndërsa autoritetet lokale po dërgojnë pesë mijë tenda dhe 100 mijë pallto dhe batanije për banorët që kanë mbetur jashtë në temperaturat e ulëta.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat