WikiLeaks publikoi qindra mijëra komunikime sensitive të diplomacisë amerikane

Bota

WikiLeaks publikoi qindra mijëra komunikime sensitive të diplomacisë amerikane

Më: 29 nëntor 2010 Në ora: 18:04

Faqja e internetit WikiLeaks publikoi qindra mijëra komunikime sensitive të diplomacisë amerikane, një hap ky, që u dënua nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Dokumentet zbulojnë mendime të shprehura nga zyrtarë diplomatikë amerikanë për udhëheqës dhe ngjarje të ndryshme botërore si dhe citojnë diskutime të nivelit të lartë me zyrtarë të vendeve të ndryshme.

Gazetat, të cilat u lejuan t’i shikojnë qysh më parë dokumentet, njoftojnë se mes komunikimeve ka praj tyre që zbulojnë se Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah, u ka bërë thirrje disa herë Shteteve të Bashkuara të sulmojnë Iranin për të shkatërruar programin e tij bërthamor dhe “për t’i prerë kokën gjarprit”.

Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdohan tha se po pret të shikojë se çfarë do të nxjerrë faqja WikiLeaks. “Le të shikojmë së pari se çfarë saktësisht fsheh WikiLeaks nën lëkurë, pastaj të shikojmë nëse ato pohime janë apo serioze. Besueshmëria e faqes WikiLeaks është e dyshimtë pra tani për tani po presim të shikojmë se çfarë kanë gjetur, më vonë do të bëjmë njoftimet e duhura”.

Prokurori i Përgjithshëm i Australisë, Robert McClelland tha se i ka kërkuar policisë federale të hetojë për të parë nëse është shkelur ndonjë ligj. “Nxjerrja e këtij informacioni mund të dëmtojë sigurinë e njerëzve të cilët u referohen dokumentet, mund të dëmtojë interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, duke përfshirë Australinë. Prandaj Australia do të mbështesë çdo masë ligjore që mund të merret”.

Shtëpia e Bardhë e dënoi nxjerrjen e dokumenteve, duke thënë se ky veprim ve në rrezik çështjen e të drejtave të njeriut si dhe jetën dhe punën e atyre që përmenden. Sipas faqes elektronike WikiLeaks, numri i dokumenteve ku përmendet Shqipëria është 822.

Themeluesi i faqes Wikileaks Julian Assange, në një telekonferencë për gazetarët në Jordani, kritikoi administratën Obama për masat ligjore kundër personave që nxjerrin dokumente qeveritare. “Nën administratën Obama ka patur më tepër veprime ligjore kundër medieve se nën të gjithë presidentët e mëparshëm të marrë së bashku. Kjo është një lëvizje e paparë dhe tepër shqetësuese e administratës Obama drejt një regjimi që nuk beson në lirinë e shtypit”.

Dje, WikiLeaks njoftoi se kishte qenë objekt i një sulmi elektronik por më pas u bë e mundur të hyhej në faqen e saj të internetit. Pentagoni tha nga ana e tij se po forcon masat e sigurisë në kompjuterët që mbajnë informacione sekrete për të mos lejuar nxjerrjen e dokumenteve të tilla si ato të publikuara nga WikiLeaks.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat