Publikimi i dokumenteve sekrete nga Wikileaks dhe implikimet kriminale

Bota

Publikimi i dokumenteve sekrete nga Wikileaks dhe implikimet kriminale

Më: 2 dhjetor 2010 Në ora: 18:14

Një analist i ushtrisë amerikane, që akuzohet për nxjerrjen e komunikimeve sekrete diplomatike është mbajtur nën arrest që nga muaji maj. Madje edhe themeluesi i faqes Wikileaks përballet me vështirësitë e veta ligjore.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton, gjatë një turneu 4 ditor nëpër botë, tha se i ka siguruar ministrat e jashtëm të vendeve të tjera se publikimi i dokumenteve në Wikileaks nuk do të dëmtojë diplomacinë amerikane.

Por masa që autoritetet amerikane duan të marrin është heqja e lirisë së Bredli Mening, ushtarit amerikan, që akuzohet për nxjerrjen e informacionit sekret. Nuk është ende e qartë se ç’do të bëjnë ata me Xhulian Asanxh, i cili i publikoi këto informacione.

Asanxh, objekt i një urdhër arresti ndërkombëtar, nuk dihet se ku ndodhet. Ai është në listën e më të kërkuarve të Interpolit. Suedia e kërkon atë nën akuzat për përdhunim, por kërkohet edhe nga Shtetet e Bashkuara ...

Çfarë akuzash mund të ngrenë Shtetet e Bashkuara kundër tij? Njëra është spiunazhi. Tjetra është nxjerrja e informacioneve sekrete, por ligji është 100 vjeçar dhe nuk është provuar kurrë në median moderne dhe elektronike. Dhe nëse ngrihet kjo akuzë, analistët ligjorë thonë se e drejta e publikut për të ditur çdo gjë do të jetë bazë e mbrojtjes së të akuzuarit.

Provat janë të shumta, 250 mijë dokumente, por duke ngritur akuza për spiunazh, qeveria duhet të provojë se informacioni sekret i publikuar ka dëmtuar mbrojtjen kombëtare dhe kjo mund të kërkojë publikimin e sekreteve të tjera.

“Dokumentet më të dëmshme, ato që dëmtojnë qeverinë amerikane kur bëhen publike, janë të njëjtat dokumente që do të përdoreshin në gjyq për të provuar se kanë shkaktuar dëm. Dhe kjo i vështirëson gjërat edhe më shumë”.

Por Xhulian Asanxh nuk është në Shtetet e Bashkuara, por në Australi, madje mendohet të jetë fshehur në Angli. Ish ndihmës prokurori i përgjithshëm Rowan thotë se zyrtarët duhet të injorojnë presionin publik e atë të huaj për të ngritur akuza kundër tij.

“Duhet pritur ndoshta 2, 3, 4 ose 5 vjet që ai të udhëtojë nga një vend në tjetrin ku ai mendon se është i sigurt. Ndoshta ai vendos të udhëtojë në gjithë botën për arsye personale, dhe ai kalon në aeroportin e një vendi me të cilin ne kemi lidhje të mira dhe pikërisht aty ai ndalohet dhe sillet në Shtetet e Bashkuara. Kjo është zakonisht forma se si qeveria amerikane i ndjek penalisht raste të tilla”, thotë ai.

Ndërkohë, analisti i zbulimit të ushtrisë amerikane Bredli Mening mbahet nga autoritetet ushtarake në periferi të Uashingtonit. Ai akuzohet për nxjerrje të dokumenteve sekrete dhe mund të gjykohet nga një gjykatë ushtarake, dhe nëse gjendet fajtor, mund të dënohet me dhjetra vjet burg.

Xhonathan Trejci, ish këshilltar gjykate në ushtrinë amerikane, dhe do të jetë vëzhgues në gjyqin e analistit ushtarak Mening.

“Bëhet fjalë për një rast tepër serioz. Dhe nëse është e vërtetë që ai është i ndërlikuar në këtë veprimtari, autoritetet do të shqyrtojnë mundësinë e një shkeljeje të rëndë dhe ta gjykojnë në bazë të ligjit ushtarak”, thotë ai.

Mening mbështetet nga të paktën 2 faqe interneti. Dhe përveç avokatit mbrojtës ushtarak, ai ka marrë një ish avokat të ushtrisë për të shërbyer si avokat civil. Ai ka kaluar 6 muaj në burg.

“Sistemi ushtarak i drejtësisë është një sistem shumë i hollësishëm, prandaj edhe mund të jetë një proces shumë i ngadalshëm”, thotë Trejci.

Prandaj, për një farë kohe, e vetmja gjë në gjyq që ka lidhje me Wikileaks është diplomacia amerikane në botë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat