Për mësuesit e shqipes jashtë atdheut

Diaspora

Për mësuesit e shqipes jashtë atdheut

Më: 17 korrik 2009 Në ora: 15:16

Njoftohen të gjithë arsimtarët shqiptarë që punojnë në shkollat në mësimin plotësues në diasporë se prej 27-29 korrik 2009, në Pejë, do të mbahet seminari i 5-të kombëtar për mësimin e gjuhës shqipe jashtë atdheut dhe pikërisht për mësuesit që veprojnë e punojnë pa u lodhur në SHSHMP. Organizator i seminarit është Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Përkatësisht përpjekjet për organizimin e seminarit kujdeset dhe udhëhiqet nga Nuhi Gashi, MASHT e Kosovës /Njësia e SHSHMP në diasporë/. Qëllimi kryesor i organizimit të këtij seminari është mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë jashtë atdheut, rritja e nivelit të mësimit të shqipes në diasporë, rritja e nivelit të bashkëpunimit me mësues të gjuhës shqipe dhe institucionit të vendit. Në këtë seminar do të trajtohen si dhe më parë çështje të rëndësishme për të ardhmen e gjuhës shqipe, në bashkësitë shqiptare jashtë atdheut. Pika kryesore ku do të fokusohet është trajnimi i mësuesve, do të jetë kalimi i vështirësive në mësimin plotësues dhe hapësirat e reja për mësimin e gjuhës shqipe jashtë atdheut. Prandaj, sot më tepër se kurrë gjithandej ku funksionojnë shkollat shqipe janë të mirëseardhur nismat, mësuesit do të kenë rastin të paraqesin mundësitë dhe vështirësitë që ndeshin gjatë punës së tyre arsimore; por edhe shpalosjen apo bartjen e përvojave profesionale, prezantime ligjëratash profesionale të vetë mësuesve, të cilët edhe pse në dhe të huaj kanë dashur dhe duan që gjuha shqipe të mësohet në shkollë, të vlerësohet dhe të jetë një mjet i shprehjes së pasurisë shpirtërore e kulturore të tyre. Nuk ka gjë më fisnike se sa përpjekja që bëjnë mësuesit e shqipes nëpër botë për t’i mbajtur gjallë rrënjët e fëmijëve nga kanë ardhur. Mos mësimi i gjuhës shqipe nga anëtarët e komunitetit tonë zvogëlon kombin.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat