Mijëra fakte për gjenocidin serb në Kosovë...

Kultura

Mijëra fakte për gjenocidin serb në Kosovë...

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 28 janar 2011 Në ora: 00:15

Në Podujevë, në organizimin e Qendrës së Kulturës, u bë prezantimi i dy librave dhe i një filmi dokumentar të autorit norvegjez Josef Martinsen, që flasin për vrasjet dhe masakrimet e civilëve shqiptar, që pësuan gjatë luftës së fundit në Kosovë. Libri i parë “Puset e vdekjes në Kosovë”, ndërsa libri i dytë “Çka ka ndodhur në Kosovë në vitet 1998-1999”. Në këta dy libra prezantohen të dhëna për mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë, të vrarë dhe të masakruar gjatë periudhës një janar të vitit 1998 –1999. Duke përshëndetur të pranishmit e shumtë në këtë promovim, Nexhmi Balaj, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport të kësaj komune, tha se humanisti dhe miku i madh i njerëzimit Josef Martinsen ka sjell shumë dëshmi për atë se çka ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit. Puset gjithmonë dhe kudo në botë kanë qenë burim i jetës, ndërsa serbët i shndërruan ata në burim të vdekjes, tha Balaj, për të shtuar se policia, ushtria dhe forcat paramilitarët serbë nuk kanë kursyer njerëzit më të pafajshëm. Askund në historinë dhe letërsinë shqipe nuk mund të hasësh të shkruhet me urrejtje për popujt tjerë, por aty has vetëm mesazhe paqeje dhe miqësie, tha z.Balaj. Ndërkaq, autori i dy librave dhe i një filmi dokumentar, Josef Martinsen, tha se njohja ime e parë me Kosovën ishte në qershor – korrik 1999. “Isha i angazhuar nga Kisha e Norvegjisë dhe UNHCR-i, me një mision humanitar në ndihmë Kosovës. Më kujtohet si sot kur i nxirrnim trupat e vdekur të civilëve nga bunarët që për mua ishte një përvojë e frikshme, por ne u deshtë ta bënim këtë sepse të afërmit e tyre pritnin me padurim dhe se askush nuk e dinte se kush është në puse. Nxorëm njëqind e njëzet e shtatë trupa nga puset dhe lumenjtë”,- tha ndër të tjera Martinsen. Autori norvegjez ka kërkuar nga institucionet qendrore dhe lokale të mbështetet financiarisht ky projekt mjaftë i rëndësishëm në sensibilizimin ndërkombëtar të vrasjeve dhe masakrimeve të popullit shqiptar nga ana e Serbisë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat