Stop në Veri, edhe arkeologëve!

Kultura

Stop në Veri, edhe arkeologëve!

Nga: Bruna Merko, BOTA SOT Më: 3 maj 2009 Në ora: 15:14

Instituti Arkeologjik i Kosovës e ka gati hartën e gërmimeve arkeologjike për këtë vit, nga njëri i skaj në tjetrin, do të përpiqen të zbulojnë lashtësinë tonë. Ky muaj shënon fillimin e ekspeditave arkeologjike, duke hedhur “kazmën” në zonat ku pritet të ketë zbulime të reja. “Përnjohja është hulumtimi në terren, i vendbanimeve para fillimit të gërmimeve, në Dardanë kanë mbetur në gjysmë gërmimet nga viti kaluar. Andaj ne do të vazhdojmë aty, nga ana juglindore do të vazhdojmë në anën verilindore”, tha për gazetën “Bota sot”, drejtori i IAK, Enver Rexha. Çështja e hartave është obligative, tashmë që është botuar edhe pjesa e parë, para dy viteve, duke krijuar kështu vakum. Sipas hartës arkeologjike për këtë vit është parashikuar që pjesa verilindore e Kosovës është objektivi primar për arkeologët, si pjesa e Shalës, Llapit, Gollakut deri të Anamorava.

Ndërkohë sipas, vëzhgimeve të institutit, Ulpiana dhe Veriu i Mitrovicës apo “municipumi dardanorum” janë pikat më vitale për gërmime arkeologjike, po ashtu edhe kështjellat. Mirëpo, sipas drejtorit të këtij institucioni, është herët të bëhet vlerësimi pasi së pari duhet të kryhet përnjohja apo hulumtimi e pastaj të balancohen rezultatet.

Megjithatë Veriu i Mitrovicës mbetet “thembra e Akilit” për institutit, dhe për vetë arkeologët, të cilët nuk po depërtojnë dot atje. Megjithëse për çdo ditë dëgjojmë nga institucionet ndërkombëtare dhe misionet që veprojnë në Kosovë, se kultura nuk duhet të ketë kufi, “ura” duket se është një kufi i rreptë për t’u kaluar nga arkeologët.

Vet, drejtori Rexha, shprehet se edhe pse kanë plane të caktuar për gërmime arkeologjike në veri, pasi që edhe ajo llogaritet si pikë e rëndësishme e territorit në aspektin arkeologjik, mirëpo për një gjë të tillë duhet kohë. “Unë kam kërkuar leje pranë Ministrisë së Kulturës, ndërsa ministria në organet kompetente për të shkuar atje. Kam kërkuar edhe nga një komision gjerman për këtë çështje, mirëpo ne nuk na është lejuar të veprojmë, në atë pjesë të territorit, por vetëm arkeologëve ndërkombëtarë. Pa një leje të tillë dhe pa një siguri të garantuar nga policia ndërkombëtare, në ketë pjesë nuk mund t’i qasemi pjesës veriore”, deklaroi z.Enver Rexha. Sipas tij, pavarësisht politikës nuk mund të anashkalohet ajo pjesë, pasi që është pjesë e Kosovës. kështu që edhe pse gërmimet në ato komuna janë të përfshira në plan programet vjetore, realizimi i tyre duket i largët.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat