Bibliografia kombëtare domosdoshmëri

Kultura

Bibliografia kombëtare domosdoshmëri

Më: 17 korrik 2009 Në ora: 21:01

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, u organizua Sesioni Konsultativ në temën “Çështje të bibliografisë Kombëtare”, ku debatuan njohës të bibliografisë nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës.

Nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë të pranishëm ishin drejtori Prof. Dr. Aurel Plasari e Ramazan Vozga, shef i Qendrës për Trajnime. Ndërsa, nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, morën pjesë bibliografë nga Departament i Bibliografisë e punonjës të tjerë të BKUK-së.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës dr. Sali Bashota përshëndeti përfaqësuesit nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe e vlerësoi të rëndësishëm mbajtjen e këtij Sesioni në zhvillimin e mëtejmë të fushave specifike të bibliotekarisë. Nga ana tjetër, drejtori i BKSH, dr. Aurel Plasari e cilësoi të pamundshëm ekzistimin e një Biblioteke Kombëtare pa botimin e bibliografisë së mirëfilltë kombëtare. Ndërkohë, Ramazon Vozga, shef i Qendrës për Trajnim dhe njohës i mirë i bibliografisë, theksoi se, në hartimin e bibliografive duhet të përfillen standardet e pranuara ndërkombëtare të përshkrimit bibliografik të vendosura nga IFLA. Shefi i Bibliografisë në BKUK mr. Tahir Foniqi, theksoi se hartimi i bibliografive kombëtare përfill edhe veçori e standarde kombëtare, nisur nga përdoruesit e saj e homogjenë. Në diskutim u angazhuan edhe Besim Kokollari, i cili paraqiti problematikën e zbatimit të standardeve bibliotekare dhe nevojën e përshtatjes së tyre për nevojat e hapësirës shqip-folëse, Muharrem Halili, Drita Deva e Rrushe Behluli-Sadiku.

Në fund doli nevoja për një bashkëpunim më të shpeshtë ndërmjet bibliografëve të dyja institucioneve bibliotekare.

B.Merko

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat