Të hiqen nga shqipja toponimet sllave

Kultura

Të hiqen nga shqipja toponimet sllave

Nga: Bruna Merko Më: 10 shkurt 2010 Në ora: 16:23

Çështja e ndryshimeve të të gjitha toponimeve të huaja në mbarë territorin e Kosovës pothuajse është lënë krejtësisht në harresë, pavarësisht nga dëshira dhe vullneti i studiuesve për ta realizuar apo çuar deri në fund këtë nismë. Ndërmarrja e një iniciative të tillë për të bërë të mundur rikthimin e emërtimeve të mëparshme shqiptare për të gjitha ato vende, si: qytete, fshatra, rrugë dhe sheshe, që sot mbajnë emra të imponuar nga regjimi serb, nisi nga një grup studiuesish në Institutin Albanologjik, menjëherë pas lufte, dhe kjo gjë duhej të bërë krahas zhvillimeve të tjera në vend. Sot, dy vjet pas Pavarësisë së Kosovës dhe disa vjet pas ngritjes së atij komisioni zyrtar, me gjithë punën e madhe që është bërë në këtë fushë, ende nuk ka kurrfarë rezultatesh përfundimtare.

“Menjëherë pas luftës jemi mbledhur duke filluar që nga Akademia, Instituti, fakultetet e Universitetit dhe kemi funksionuar njëherë si Këshill i Përgjithshëm, për më shumë se një vit, në kushte shumë të vështira, mandej kemi krijuar edhe këshillat komunalë. Kjo punë ka zgjatur deri vonë”, -tregon për gazetën prof. Rexhep Doçi, një për iniciatorëve të formimit të Komisionit. Sipas tij Komisioni filloi ndërrimin e emrave të fshatrave dhe të qyteteve, të gjitha atyre vendbanimeve emrat e të cilave janë formuar me dhunë, ose kanë arsyet e tyre të rikthehen në orgjinë. Kështu pothuajse 90 për qind e emrave të rrugëve, shesheve dhe lagjeve të Prishtinës janë serbizuar, por edhe në mbarë Kosovën, dhe pas lufte ishte e domosdoshme që studiuesit dhe ekspertët të nisnin nga puna. “Atëherë kishim edhe përkrahjen e ndërkombëtarëve, si dhe të Qeverisë Teknike për këtë nismë tonën, por më vonë ndryshuan qëndrim. Por qysh atëherë ne kemi shkuar në instancat më të larta, sërish nuk na përkrahën”, shprehet prof. Doçi duke shtuar se ndërkombëtarët nuk pyesin se jemi shumicë, dhe ne nuk kemi ndryshuar emrat ku banojnë serbët, por vetëm ato ku banojnë shqiptarët. Sipas profesor Rexhepit, presidenti Rugova ishte një mbështetës i fortë i idesë së çrrënjosjes së toponimeve sllave dhe të huaja në përgjithësi në gjuhën shqipe ose kthim në origjinë. “Presidenti Ibrahim Rugova ka qenë një njëri largpamës, i aftë, jo vetëm për shqiptarët, këtu në Kosovë, por edhe më gjerë. Ai pajtohej që të përmirësoheshin, të përshtateshin këto toponime në gjuhën shqipe, ilire e pellazge. Ai e quante Dardania Antike, Gadishulli Ilirik”, tha prof. Doçi.

Megjithëse ishte një punë e mundimshme dhe pa kurrfarë shpërblimi ose stimulimi, ky Komision arriti të ndryshojë disa prej toponimeve të vendeve të ndryshme të Kosovës, por ende nuk e janë finalizuar qëllimet ose synimet që i vendosi ky Komision. Toponimet sllave nëpër Kosovë janë ende aty dhe kërkohet angazhim i të gjithave institucioneve shtetërore dhe joshtetërore për t’i shndërruar ato në origjinën e tyre.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat