Rikthimi i artefakteve, presion Serbisë

Kultura

Rikthimi i artefakteve, presion Serbisë

Nga: Bruna Merko, BOTA SOT Më: 2 mars 2009 Në ora: 15:31

Rizgjidhet sërish drejtor i muzeut Historik të Kosovës, Arbër Hadri në një intervistë për gazetën kombëtare “Bota sot”, tregon për se përse pranoi sërish këtë post, cilat janë projektet që priten të inaugurohen këtë vit. Për sfidën e tij më të madhe, kthimin e artefakteve shqiptare, të cilat prej dhjetë vitesh janë në Serbi. “Duhet një presion më i madh ndaj Serbisë për t’i rikthyer ato”, thotë ai, një bashkëpunim më të ngushtë të të gjithë palëve për atë koleksion të madh kombëtar.

Bota sot: Rizgjidheni në postin e drejtorit të Muzeut Historik të Kosovës, përse e pranuat postin, ndërkaq kishit deklaruar se për shkak të angazhimeve personale po hiqnit dorë nga ky post?

Hadri: Në fakt hoqa dorë nga ky post pikërisht se kisha angazhimet e doktoraturës sime, mirëpo për shkak të ecurisë së disa projekteve me rëndësi, të cilat kanë qenë në përfundim e sipër, pra këtë vit bëhet inaugurimi i tyre, pranova. Kështu që e pamë të arsyeshme të vazhdojmë me këtë angazhim dhe t’i realizojmë projektet me rëndësi për trashëgiminë kulturore të Kosovës, veçanërisht segmentin e prezantimit muzeal.

Si realizimi i pjesës së dytë te ekspozitës arkeologjike “Kosova ndër shekuj”, që ka të bëj me historinë e Kosovës prej shekullit 15 deri në shekullin 21, me shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, me prezantimin e saj, pra një simbol i prezantimit të asaj date e shumë të tjera.

Bota sot: Kjo do të thotë që ju e pranuat sërish postin drejtues për hir të projekteve të lëna përgjysmë?!

Hadri: Po. Që të ngrihet në formën e duhur të gjitha përpjekjet tona, kontributi ynë, të gjitha elementët që kemi menduar më parë dhe që duhen të zbatohen deri në fund.

Bota sot: Ju jeni në fakt një nga drejtuesit më afatgjatë në një institucion kulturor, a mund të na thoni se mbajtja kaq gjatë e këtij posti, ka sjellë rezultatet e duhura?

Hadri: Megjithatë rezultatet janë të dukshme, kemi hapur një nga muzetë më të mëdhenj në rajon, si ai etnologjik, i hapur në 2007. Gjithashtu kemi bërë hapjen e ekspozitës së përhershme “Shtëpia e Pavarësisë. Dr.Ibrahim Rugova”. Këto kanë qenë dy suksese jashtëzakonisht të mëdha, po ashtu edhe funksionalizimi i muzeut me ekspozitën “Kosova në shekuj” që tashëm pritet dhe realizimi i pjesës së dytë, si dhe prezantimi i Deklaratës së Pavarësisë.

Bota sot: Cilat janë projektet që janë në përfundim e sipër?

Hadri: Për këtë vit do të realizojmë një sërë projektesh me rëndësi, si prezantimi i pavarësisë së Kosovës, kjo do të realizohet më 12 qershor të këtij viti. Që është dhe dhjetë vjetori i çlirimit të Kosovës, që shënon një datë me rëndësi, përfaqëson të gjitha përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, që nga lidhja e Prizrenit dhe deri në më 17 shkurt të 2008. mirëpo përpjekjet kanë qenë shekullore dhe kjo është një shenjë për t’u shënuar dhe do të jetë pikërisht ky rrugëtim që do të prezantohet. Do të përkrahim nëse kërkohet nga Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Muzeun e Londrës, realizimin e prezantimit në kuadër të muzeut të memorialit Adem Jasharit, që me rastin e 10 vjetorit të çlirimit të Kosovës. Ndërkaq më 28 nëntor do të bëhet inaugurimi i muzeut “Isë Boletini”, do të realizohen një sërë projektesh të tjera sikurse Parku Arkeologjik i Prishtinës, hapja edhe i Muzeut në Prizren, si dhe muzeu i Lidhjes së Pejës. Pra kemi bërë nga një projekt madhor në qendrat kryesor të Kosovës, do të jetë një shpërndarje në gjithë territorin tonë. Të gjitha këto projekte janë me rëndësi dhe do të realizohen pasi është edhe 60 vjetori i themelimit të Muzeut Historik të Kosovës.

Bota sot: Një nga sfidat më të mëdha në këtë post është rikthimi i qindra artefakteve shqiptare që gjenden në Serbi. A do ta mbani premtimin se së shpejti ai koleksion do të jetë në “shtëpinë e tij”?

Hadri: Orientimi strategjik i Muzeut të Kosovës është rikthimi i koleksionit arkeologjik dhe etnologjik që gjenden në Serbi prej më se dhjetë vjetësh, i cili përbehet nga 676 eksponate arkeologjike dhe 571 eksponate etnologjike. Me këtë pasuri të Kosovës është hapur një ekspozitë në Beograd, para bombardimeve të NATO-s, dhe janë marrë me marrëveshje, kanë qenë të huazuara ndërmjet dy institucioneve. Janë një sërë konventash dhe dokumente ndërkombëtare që e detyrojnë Serbinë që ta kthej këtë koleksion, gjithashtu Pakoja e Ahtisarit ka një nen të posaçëm për kthimin e këtij koleksioni. Në këtë kontekst ne kemi bërë disa fushata sensibilizuese, që opinioni të ndërgjegjësohet se bëhet fjalë për një nga pasuritë më të mëdha të historisë sonë, që nga periudha e Neolitit, 6 mijë vjet më parë dhe deri në mesjetën e mëvonshme. Nëpërmjet fushatës “Dua të kthehem në shtëpi” arritëm që të rikthenim “Hyjneshën në Fron” si dhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Duhet një presion më i madh ndaj Serbisë për t’i rikthyer ato. Ne sërish do të nisim një fushatë tjetër me moton “Duam dhe ne të kthehemi në shtëpi”. Unë besoj që këtë vit artefaktet do të kthehen përfundimisht, janë të gjitha gjasat dhe kushtet që kjo të ndodh këtë vit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat