Mbi 100 albanologë mblidhen në Prishtinë

Kultura

Mbi 100 albanologë mblidhen në Prishtinë

Nga: Blerta Maliqaj Më: 25 tetor 2010 Në ora: 12:12

Folklori, etnologjia, historia, gjuhësia dhe letërsia, janë fushat shkencore, të cilat nga 25 deri më 29 tetor, do të jenë në fokus të studiuesve shqiptarë.

Aktiviteti shkencor “Java e Albanologjisë”, i organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës-IAP, ka filluar sot punimet, të cilat do të zgjasin deri më 29 tetor.

Qëllimet kryesore të “Javës së Albanologjisë” janë avancimi i shkencës, takimet mbarëkombëtare dhe sensibilizimi i albanologëve shqiptarë. Ndërkaq vlen të theksohet fakti se kjo ngjarje ndër më të rëndësishmet shkencore të vitit, mbahet për herë të parë. Ndërkohë, organizatorët besojnë se ky event do të bëhet tradicional dhe se me këtë do të identifikohet IAP. Në kuadër të kësaj jave, do të zhvillohen studime shkencore nga folklori, etnologjia historia, gjuhësia dhe letërsia. Pjesëmarrës në këtë aktivitet pritet të jenë mbi 100 studiues nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët do t’i shpalosin studimet e tyre në këto fusha. Sekretari shkencor i Institutit Albanologjik, prof. dr. Lulëzim Lajçi, ka thënë për “Bota sot” se, duhet të punohet shumë në shkencë dhe të ruhet trashëgimia jonë. Sipas tij, Evropa nuk ka nevojë për njerëz që do ta kopjonin atë, por për njerëz me vlera të veta, dhe me traditë. “Fushat e studimit të kësaj jave me të cilat do të merremi janë vërtetë vlera dhe ne nuk kemi pse t’i lëmë anash ato. Evropa ka nevojë për njerëz me identitet e vlera dhe jo për ata që e imitojnë atë. Ne jemi këta që jemi dhe me këtë duhet të mburremi”,- ka shtuar prof. Lajçi. Ndërkohë, në kuadër të aktiviteteve dhe pjesëmarrësve të Javës së Albanologjisë, organizatorët kanë ftuar mysafirë specialë. Në mesin e të ftuarve janë përfaqësuesit e arbëreshëve, Mandalai, Altimari, përfaqësues të Universitetit të Shkodrës, Qendra për Studime Albanologjike e Tiranës, Instituti Albanologjik i Shkupit, si dhe albanologu hungarez Ishtfan Schuts. Ndërkaq, që ky aktivitet ka pasur shumë shpenzime financiare, është ngushtuar lista e atyre që planifikohej të ishin mysafirë special, në mesin e të cilëve ishte edhe shqiptaro - kroati Stipceviq. Kjo ngjarje e rëndësishme për shkencën dhe për identitetin tonë kombëtar, është financuar nga mjetet vetanake të IAP-it. Ndërkaq, Ministria e Arsimit nuk ka ndarë ndonjë fond të veçantë për këtë. “Kjo është mundësuar me të hyra vetanake, të cilat kanë qenë për shpenzime të Institutit dhe nga kjo është ndarë shuma për organizimin kësaj jave. Shpresojmë që herëve tjera të mos ketë probleme financiare, meqë kjo është hera e parë dhe pengesat në forma të ndryshme janë evidente”,- ka theksuar ndër të tjera Lajçi. Hapjen e këtij edicioni do ta bëjë drejtori i IAP-it Hysen Matoshi, kurse fjalën përshëndetëse do ta mbajnë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat