Komuna e Prishtinës, festë për 28 Nëntorin

Kultura

Komuna e Prishtinës, festë për 28 Nëntorin

Më: 28 nëntor 2010 Në ora: 00:45

Komuna e Prishtinës me rastin e festës kombëtare të 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, ka organizuar një program të pasur kulturo-artistik në kryeqytetin e Kosovës.

Sipas këtij programi, në orën 10:00 do të vendosen kurora lulesh në monumentin e Gjergj Kastriotit - Skënderbeu, pastaj tek busti i dëshmorit të kombit, Zahir Pajaziti, si dhe në varrezat e dëshmorëve në lagjen “Velania”. Në orë 12:00 në Bulevardin “Nëna Terezë” do të defilojnë grupet artistike të fëmijëve të Prishtinës. Me programet e tyre do të paraqiten: “Qendra Kulturore e Fëmijëve” të Prishtinës, “Xixëllonjat”, ”Zërat gazmor”, ”Vihuela”, shkolla e baletit “Rudina”, studioja e baletit “Mjellmat”, dhe shumë solist të vegjël. Në orën 20:00 në Bulevardin “Nëna Terezë”, fillon spektakli i Ditës së Flamurit me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe solistët e Estradës Kosovare. Ansambli Kombëtar do paraqitet me vallet e koreografit Dilaver Kryeziu, si “Vallja e Karadakut”, “Vallja e Pavarësisë’, ”Valle Krutane”, pjesëmarrës të programit do të jenë edhe solistet: Ismet Bogujevci, Violet Kukaj, Riza Bytyqi, Hysni Klinaku, Yllka Kuqi, Mirsa Kerqeli, Burim Hoxha, Adelina Berisha, Gresa Behluli, Besart Halimi dhe Dhurata Ahmetaj.

Për shënimin e kësaj dite aktivitete të ndryshme kulturore janë organizuar edhe nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të kryeqytetit. Komuna është përkujdesur edhe për stolisjen e qytetit me flamuj dhe dekorim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat