Ekipi me ngjyrë portokalli

Sporti

Ekipi me ngjyrë portokalli

Nga: Leart Hoxha, BOTA SOT Më: 7 korrik 2010 Në ora: 19:08

Holanda është finalisti i parë i Kampionatit Botëror të futbollit “Afrikë e Jugut 2010”, pasi në gjysmëfinale të kësaj gare mposhti Uruguain. Reprezentacioni i këtij shteti dy herë më herët ka qenë në finale dhe dy herë ka pësuar humbje nga ekipet që kanë qenë nikoqire të kampionatit dhe kanë dalë kampione bote (Gjermania më 1974 dhe Argjentina më 1978). Kësaj radhe në Holandë shpresojnë se fati i tyre do të ndryshojë dhe se në Afrikë të Jugut, koloninë e tyre të dikurshme ata do të mund të fitojnë titullin e parë të botës.

Fillimet e turbullta

Federata Holandeze e Futbollit është formuar më 1889 duke qenë një nga më të vjetrat në botë. Holanda në fakt është vend me traditë të madhe dhe të bujshme të futbollit. Ndeshjen e parë ndërkombëtare reprezentacioni i këtij shteti e ka luajtur më 1905 kurse më 1934 dhe 1938 kishte luajtur në Kampionat Botëror (në botërorin e viti 1930 nuk ka pasur kualifikime por ekipet kanë shkuar me ftesa. Mirëpo, koha gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore solli turbullira të shumta në futbollin holandez. Reprezentacioni dhe ekipet e këtij shteti nuk ishin në hap me zhvillimet në futbollin evropian dhe në periudhën 1950 – 1970 Holanda nuk ka garuar në asnjë kampionat botëror ose evropian duke qenë një shtet me futboll jo më shumë se mesatar.

Futbolli total

Futbolli holandez në planin reprezentativ shpërtheu në Kampionatin Botëror të vitit 1974, kur Holanda luajti në finale. Mirëpo, kjo gjë ishte paralajmëruar nga brezi fenomenal i ekipit të Ajaksit të fillimit të viteve të 70-ta. Ajaksi i prirë nga Johan Krojf një prej futbollistëve më të mirë në histori, tri herë radhazi (1971-1973) u shpall kampion i Evropës, kurse loja e Krojfit dhe bashkëlojtarëve të tij u emërua si “futboll total”, diçka që sot e kësja dite konsiderohet shpikje epokale në këtë sport. Më 1974 mjeshtri i futbollit Rinus Mikels ishte përzgjedhës i një ekipi ku shkëlqenin yjet si Joahn Krojf, vëllezërit Rene e Vili van der Kerkof, Ari Han, Xhoni Rep e Johan Neijshkins. Ky reprezentacion impresionoi të gjithë me lojën e vet në botëror, kurse në finalen e madhe të Munihut për kundërshtar e kishte Gjermaninë. Holanda në këtë ndeshje kaloi në epërsi në minutë ne dytë nëpërmjet penalltisë, por dy gola të Gjermanisë (një prej të cilave nga penalltia) bënë që ky ekip ta përmbyllë pjesën e parë me epërsi 2:1 dhe ta mbajë atë deri në fund të ndeshjes. Kështu Gjermania fitoi titullin e dytë të botës, kurse Holanda u shndërrua në ekip për respekt. Katër vjet më vonë Holanda sërish arriti deri në finale me përbërje të ngjashme të lojtarëve por pa legjendën Johan Krojf, i cili për arsye personale nuk shkoi në këtë garë. Në finalen e zhvilluar mnë Buenos Aires, Holanda luajti shkëlqyeshëm dhe pas 90 minutave ishte e barabartë me Argjentinën vendëse të prirë nga Mario Kempes. Mirëpo, në kohën shtesë dy gola të Argjentinës i dhanë këtij shteti titullin e parë të botës dhe bënë që një gjeneratë e shkëlqyeshme e futbollistëve ta përfundojë karrierën pa trofe reprezentativ.

Sa afër aq edhe larg...

Në fillim të viteve të 80-ta Holanda iu nënshtrua ndërrimit të gjeneratës por kah fundi i kësaj dekade ky shtet sërish krijoi një reprezentacion të shkëlqyeshëm. Kësaj radhe lider në fushë Rud Gulit, një mesfushor vizionar i qëndrueshëm dhe me shumë karakter. I përkrahur nga Marko van Basten, Frank Rajkard, Jan Vauters, vëllezërit Ronald e Robert Kuman dhe futbollistë të tjerë të shquar, Gulit dhe Holanda dolën kampion evropian më 1988 nën udhëheqjen e strategut rinus Mikels.

Dy vjet më vonë në “Italia ‘90”, Holanda u takua në të tetën e finales me Gjermaninë në “Derbin e San Siros”. Pas një ndeshjeje të fortë dhe me shumë tension, Gjermania shënoi fitore dhe më pas u bë kampione e botës. Më 1994 përveç Gulitit e Rajkardit në ekip erdhën lojtarë si Denis Berkamp, Mark Overmars, Aron Vinter, Deni Blind, vëllezërit Frank e Ronald de Bur dhe të tjerë. Holanda në këtë kampionat luajti futbollin më atraktiv por u eliminua nga Brazili në çerekfinale në një ndeshje legjendare. Brazili më pas u bë kampion bote. 4 vjet më vonë Holanda sërish kishte ekip shumë të fortë, përplot me yje te futbollit evropian, të cilët udhëhiqeshin nga përzgjedhësi Gus Hidink. Kësaj radhe ky ekip u eliminua në gjysmëfinale nga Brazili edhe pse besohej se ishte një nga ekipet më të talentuara në histori të futbollit me emra si Bergkamp, Stam, Sedorf, vëllezërit de Bur, Raiziger, Klaivert, Van Der Sar, Overmars, Davids e Van Bronkhorst. Kampionati i viti 1998 e “harxhoi” një gjeneratë të futbollistëve dhe zhgënjeu shumë opinionin futbollistik në këtë vend. Edhe pse Holanda vazhdimisht kishte ekip me shumë potencial më 2002 nuk u kualifikua fare në botëror, kurse më 2006 u eliminua në të tetën e finales.

Ëndrra afrikane

Me dy finale të humbura dhe me disa zhgënjime të mëdha Holanda ka krijuar imazh të ekipit që nuk luan në potencial të plotë. Të prirë nga Bert van Marvajkm, ekipi që në radhë te vat ka futbollistë me shumë talent dhe përvojë Holanda më në fund luajti lojë efektive dhe që primare e kishte rezultatin. Ky ekip shënoi 6 fitore në 6 ndeshje të botërorit në Afrikë të Jugut duke luajtur futboll të shkëlqyeshëm dhe loja me shumë angazhim që më herët nuk ka qenë tipike për ta. Roben, Van der Vart, van Bomel, Snajder, Bularuz, van Bronkhorst, Haitinga dhe të tjerët kanë rastin që me fitore eventuale në finale jo vetëm të kurorëzojnë karrierat e tyre, por të arsyetojnë edhe mundin e djersën e të gjitha gjeneratave paraprake të futbollistëve të Holandës që botës i kanë dhënë spektakël.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat