Kampion për herë të parë

Teknologji

Kampion për herë të parë

Nga: Leart Hoxha, BOTA SOT Më: 10 korrik 2010 Në ora: 19:21

Spanja dhe Holanda për dekada me radhë kanë reprezentacione shumë të respektueshme të futbollit në nivel botëror, futbollistë të talentuar dhe klube që në nivel evropian janë vazhdimisht të rankuara lart. Mirëpo, asnjëri prej këtyre dy shteteve nuk ka qenë asnjëherë kampion bote dhe deri në këtë botëror kishin krijuar një traditë të zhgënjimit në gara të mëdha (Holanda dy herë të humbur në finale, Spanja asnjëherë nuk kishte arritur kaq larg). Të dielën një prej këtyre dy shteteve për herë të parë do të shpallet kampion i botës në futboll, kurse në bazë të asaj që kanë treguar deri më tani në këtë garë, mund të presim një finale të fortë dhe interesante.

Rruga deri në finale

Nga Holanda të gjithë kanë pritur që të dominojë në grup dhe po thuajse askush nuk ka pritur që të arrijë në finale për shkak të historisë së dështimeve që e ka ky ekip. Megjithatë, fjala është për një grup që fare lehtë me një potez, ose në një natë të keqe është në gjendje të hedhë në ujë mundin e bërë përgjatë dy vjetëve gara në kualifikime dhe botëror. Mirëpo, në këtë botëror, Holanda e prirë nga Bert van Marvajk ka qenë një ekip shumë serioz. Tri fitore nga tri ndeshje në grup ishin paralajmërim i mirë për këtë. Pasoi fitorja klinikisht e pastër me Slovakinë dhe më pas dy ndeshje të forta me ekipet nga Amerika e Jugut. Në çerekfinalen me Brazilin, Holanda për herë të parë e tregoi fuqinë e vërtetë të karakterit të ekipit sepse ishte në disavantazh pas golit të pësuar herët. Me dy gola të shpejtë në pjesën e dytë Holanda siguroi fitoren dhe plasman në gjysmëfinale dhe vetëm atëherë bota filloi të merret seriozisht me këtë ekip. Pasoi ndeshje me Uruguain, një triler ku u shënuan 5 gola, por ku Holanda tregoi futboll më të mirë dhe me meritë shënoi fitore, pavarësisht se një gol i këtij ekipi nuk dukej i rregullt. Në finale ky reprezentacion shkon me dëshirë të madhe për fitore dhe me ekip mjaft të talentuar për të mposhtur çdo kundërshtar. Spanja ka tregim tjetër në këtë kampionat. Për herë të parë në histori ky ekip erdhi në një botëror si favorit kryesor. Mirëpo, kampioni aktual i Evropës humbi në ndeshjen e parë me Zvicrën dhe sërish në sipërfaqe dolën tregimet për mosaftësinë e këtij ekipi që të shtrëngohet dhe të luajë fort në ndeshje të mëdha. Mirëpo, Spanja më pas fitoi dy ndeshjet tjera në grup dhe tri ndeshje tjera në nok-aut fazë dhe tani është në finale. Duhet thënë se Spanja vetëm me Hondurasin ka shënuar fitore me më shumë se një gol dallim. Përkundër kësaj, ekipi i Visente Del Bokses është dukur shumë komod në fushë në të gjitha ndeshjet, ka dominuar në posedim të topit dhe ka mundur të shënojë më shumë gola. Sulmet e komplikuara dhe disa vendime taktike të Del Boskes, kontestohen nga shumë ekspertë, por derisa ekipi i tij është duke fituar strategu spanjoll është shumë komod, kurse mania e vërtetë për të dhe lojtarët që po ngjet në Spanjë vetëm sa i përforcon qëndrimet e tij.

Dueli i madh dhe duelet e vogla

Finalja e botërorit shpesh ka qenë test i madh edhe i karakterit përveç shkathtësisë dhe fatit që janë të nevojshme për të arritur deri në finale. Pikërisht përgatitja mentale dhe vullneti për fitore do të jenë faktorë shumë të rëndësishëm në këtë ndeshje dhe në këtë aspekt Spanja duket se ka përparësi sepse shihet si favorit nga të gjithë, kurse Holanda ka treguar se nuk ka arsye ti frikohet asnjë ekipi në botë dhe se me meritë është në finale, kështu që nuk ka shumë arsye të hyjë në ndeshje si ekip inferior. Taktikisht shikuar, ekspertët pohojnë se Spanja dhe Holanda kanë lojtarë dhe mënyrë të lojës të ngjashme në fazë ne mbrojtjes, mirëpo, cilësia e Pyjolit dhe Opikesë si mbrojtës qendror i jep Spanjës pak përparësi. Të dyja ekipet kanë mesfushë të shkëlqyeshme, kurse Holanda besohet të jetë më e orientuar në defanzive me prezencën e fuqishme të Mark van Bomelit. Sulmi edhe në këtë ndeshje mund të jetë çelësi i lojës për të dyja ekipet meqë tk Holanda van Persi rrallë përfundon aksionet por janë Roben, Snaider dhe Kyjt ata që nga plani i dytë shënojnë, kurse tek Spanja, nëse Fernando Torres sërish luan si rezervist atëherë David Vila duhet të shpresojë në përkrahje të mesfushorëve nëse Spanja dëshiron ta përfundojë ndeshjen në kohë të rregullt.

Përbërjet e mundshme

Spanja: Casillas; Ramos, Pique, Puyol, Capdevila; Busquets, Alonso; Pedro, Xavi, Iniesta; Villa.

Holanda: Stekelenburg; Van der Wiel, Heitinga, Mathijsen, Van Bronckhorst; Van Bommel, De Jong; Robben, Sneijder, Kuyt; Van Persie.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat