Hyseni: Trofetë, ku tjetër pos në Prishtinë!

Sporti

Hyseni: Trofetë, ku tjetër pos në Prishtinë!

Nga: Kemajl Goca, BOTA SOT Më: 10 janar 2011 Në ora: 10:27

Njëra prej hendbollisteve më meritore që është Prishtina kampione në fuqi dhe kampione e vjeshtës, Lumnije Hyseni, tha se është kënaqësi të luash në petkun e kësaj skuadre që ka traditë të gjatë të kësaj loje.

Ish hendbollistja vushtrriase, që ka një kohë që luan me bardhëkaltrat theksoi se përveç që do të mbrojnë titullin e kampionit, do të synojnë edhe trofeun e Kupës së Kosovës.

“Kemi kapacitet për të gjitha trofetë. Jemi klub më hendbolliste secila më e mirë se tjera dhe me kushtet që nuk i ka asnjë klub tjetër në Superligë’, theksoi ajo.

Hysenit as që i shkon mendja të largohet nga prishtinaset, me gjithë ofertat që ka nga klube të tjera. “Më mirë se në Prishtinë nuk mundem të gjejë askund. Prishtina është klub që ka organizim të jashtëzakonshëm dhe sa e di jemi të vetmen që marrim edhe pagat nëpërmjet bankës. Është harmoni jashtëzakonisht e mirë ndërmjet hendbollisteve si dhe duke iu falënderuar punës së palodhshme të kryesisë i kemi të gjitha kushtet që i duhen një hendbollistes”, tha Hyseni.

Ajo shtoi: “Edhe në Kosovën e Vushtrrisë kam ka kaluar një periudhë të mirë, për faktin se ka pasur kushte shumë të mira. Por, tashmë Prishtina i ka kushtet vërtet mahnitëse dhe që realisht të motivojnë për çdo stërvitje dhe ndeshje”.

-Kandidat për titull si zakonisht e kemi Kastriotin e Ferizajt. Vjeshtën e përfunduam të parat me 21 pikë me aq pikë sa kanë ferizajaset të dytat. Realisht treguam lojëra më kompakte se ato dhe si rezultat i kësaj i mposhtën edhe në Ferizaj. Vitet e fundit ia kemi marrë zemrën Kastriotit dhe po ia dalim edhe në Ferizaj t’i mposhtim. E di se janë kandidate edhe ato për titull dhe mund të them si sfidueset më të mëdha, por mendoj se në vitin 2011 të gjitha trofetë do të jenë të Prishtinës, tha hendbollistja bardhëkaltër.

Prishtina të vetmen humbje e patën pësuar papritur në Vushtrri nga Kosova.

“Ishte ditë e keqe ashtu si mund të quhet në zhargonin sportiv, sepse nuk shkoi asgjë ndoresh në atë ndeshje. Pësuam humbjen e parë, e cila qoftë e harruar”, tha Hyseni.

Kontrata e kësaj hendbolliste përfundon në muajin qershor.

“Në qershor përfundon kontrata me Prishtinën, por më duket se do t’i mbes edhe për një kohë besnike, sepse aktualisht më mirë se në këtë kolektiv nuk mundem të gjejë”, nënvizoi ajo.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat