Si injorohen talentet?

Sporti

Si injorohen talentet?

Nga: Kemajl Goca, BOTA SOT Më: 14 janar 2011 Në ora: 13:30

Pas shumë hamendjeve më në fund vendosi hendbollisti i talentuar 19-vjeçar, Vlerëson Zherka, të tregoi arsyet pse është larguar nga klubi me nam të hendbollit, Kastrioti i Ferizajt, katër ndeshje para se të përfundojë pjesa vjeshtore e Superligës së Kosovës.

Ai deri më tash nuk ka dashur të flasë dhe ka qëndruar në heshtje. Heshtja e tij pothuajse më shumë se një muaji mori fund dhe vendosi të tregojë arsyet e largimit nga klubi. Zherka, një talent i kësaj loje dhe njëherësh edhe reprezentues i Kombëtares së Kosovës, tha se nuk ka më keq në botë se kur të injoron kryesia e klubit. Ditë më parë, nënkryetari i klubit ferizajas, Lulzim Abazi, tha se është e vërtetë se iu është vonuar paga për dy ditë hendbollistëve Zherkës e Hamdi Salihut, por në fakt i kanë marrë ato. Vlerëson Zherka thotë të kundërtën, që sipas tij, nuk ka shkuar të marrë pagën, por e pranon se e kanë ftuar që të marrë atë. Nuk është vetëm ky djalosh që është larguar nga klubi në shenjë të pakënaqësive, por edhe Granit Sahiti, Hamdi Salihu e Florim Ibrahimi.

Shumë herë është kritikuar se shumë talent lihen anash nëpër klubet, por deri më tash askush pothuajse nuk e ka pasur guximin të dalë publikisht dhe të thotë një gjë të tillë. Në hendboll qoftë në konkurrencën e meshkujve, qoftë në atë të femrave, ka pasur disa talent që janë shuar për një mijë e një arsye, por askush sot e asaj dite nuk e ka kuptuar për cilat arsyet nuk e kanë vazhduar karrierën.

“Bota sot”: Jeni larguar apo vetëlarguar nga KH Kastrioti?

Vlerëson Zherka: Nuk e pash të arsyeshme më të jem pjesë e Kastriotit. Katër ndeshje para se të përfundoi edicioni vjeshtor mora vendim që të largohem nga klubi së bashku me tre hendbollistë të tjerë, Hamdi Salihu, Granit Sahiti e Florim Ibrahimi.

“Bota sot”: Cilat janë arsyet e largimit?

Vlerëson Zherka: Arsyet janë se thjesht na shkelën në moral. Ishte e padurueshme dhe u desh të marrim një vendim sa do i vështirë dhe i dhimbshëm, por i drejt. Kryesia e klubit na ka lënë anash dhe u desh të largohem. S’ka më keq në botë se kur injorohesh pa të drejtë.

“Bota sot”: Në cilën ndeshje ishit të injoruar?

Vlerëson Zherka: Në ndeshjen me Besën ndodhi ajo që ndodhi. Kryesia na tha se edhe pa Juve mund të luajmë. Me shtatëshen e parë luajmë dhe për Juve as që kemi nevojë. Ishte një shkeljen e moralit tonë dhe shumë keq e kemi ndier veten unë me Salihun, Ibrahimin e Sahitin.

“Bota sot”: Kjo ishte arsye e largimit?

Vlerëson Zherka: Sigurisht se po.

“Bota sot”: Në opinion flitet se kryesia dikujt i ka dhënë pagë, dikujt jo. A është e vërtet se këtu edhe ka humbur durimi?

Vlerëson Zherka: Është e vërtet se dikujt i ka dhënë pagë, e dikujt jo. Më konkretisht shtatëshes se parë i ka dhënë pagë, ndërsa pjesës tjetër jo. Nuk ka qenë punë e pagës pse nuk e kemi marrë sikur shtatëshja e parë. Kjo ka qenë punë më e vogël. Edhe kjo ka qenë njëra prej arsyeve, por thjeshtë shkelja e moralit tonë ka ndikuar që ne të largohem. Nuk mundem të pajtohem assesi kur bënë ndarje kryesia. Shtatëshja e parë jeni të nevojshëm, por Ju të tjerët jo!

“Bota sot: “Nënkryetari i klubit Lulzim Abazi, ka thënë se paga iu është dhënë pas dy ditëve juve dhe Hamdi Salihut. Është e vërtetë apo jo?

Vlerëson Zherka: Është e vërtet se pas dy ditëve kryesia e klubit na ka ftuar që të marrim pagat. Nuk kemi shkuar që t’i marrim ato.

“Bota sot”: Domethënë e keni refuzuar pagën?

Vlerëson Zherka: Thashë dhe më lartë, paga ka qenë puna më e vogël. Thjeshtë e refuzuam. Nuk deshëm të shkojmë të marrim pagën. Kryesia ka kontaktuar njëherë me ne, por nuk dëshiruam të shkojmë. Pagat është një hiq gjë, sa është e dhimbshme thyerja e moralit tonë.

“Bota sot”: Sa paga iu ka borxh klubi?

Vlerëson Zherka: Një pagë, të cilët nuk shkuam të marrim.

“Bota sot”: Jeni të zhgënjyer?

Vlerëson Zherka: Shumë.

“Bota sot”: Po qe se vazhdon kështu edhe në të ardhmen jo vetëm në Kastriot, por edhe diku tjetër, do të vazhdoni karrierën në hendboll?

Vlerëson Zherka: Nuk ndahem nga hendbolli, sepse e kam traditë familjare dhe e dua me shpirt. Pres ditë më të mira.

“Bota sot”: Do të ktheheni në Kastriot, pasi Lulzim Abazi, tha ditë më parë se jeni pjesë e klubit dhe llogarisin shumë në Ju?

Vlerëson Zherka: Nuk e di. Jam i thyer keq në shpirt.

“Bota sot”: Keni nënshkruar me Prishtinën?

Vlerëson Zherka: Jo. As që kam ofertë nga ky klub.

“Bota sot”: Keni kontratë me Kastriotin?

Vlerëson Zherka: Jo.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat