Bing-bengu për shqiptarët

Opinione

Bing-bengu për shqiptarët

Nga: Tonin Alimhillaj Më: 1 prill 2009 Në ora: 14:05

Duke iu referuar volumit të prodhimit të përgjithshëm e kapaciteteve financiare të vendit tonë, nxirret konkluzioni se licencimi i 20 bankave, në të shumtën filiale të kompanive të huaja, ka qenë veprim i tepruar çka vë në dyshim kontekstin e vërtetë të tyre. Tek ne sistemi bankar privat lulëzoi pasi i hapi rrugë falimenti i bankave shtetërore të nivelit të dytë, të cilat u menaxhuan sa s’ka më keq por pa i hyrë ferrë në këmbë askujt. Këto banka private çuditërisht u shtuan së tepërmi pas rënies së firmave rentiere për rrjedhojë natyrshëm të vjen mendimi në riciklimin e shumave të fshehura nga ato firma mashtruese, dyshimet e lartpërmendura, garancia e deritanishme e depozitave në vlera ironike si dhe dora e ngrohtë e disa politikanëve në shpinën e institucioneve bankare, kanë vënë në siklet klientelën e tyre sidomos kohët e fundit kur furtuna e krizës ekonomike globale ka zanafillën pikërisht nga bankat.

Autoritetet e shteteve më të fuqishme mblidhen disa herë për të ndryshuar raportet e vjetruara mes privatësisë dhe efekteve sociale të sistemit bankar, tek ne me një qetësi psikiatrike politika vazhdon të ruajë të shenjtë privatësinë dhe hermetikën e informacionit të këtyre institucioneve çka të kujton klimën mistike që u krijua në vitet 1996-97 nga firmat famëkeqe që rrëzuan shtetin.

Dëgjojmë diskutime të nxehta “politike” për ngjyrën e kopertinës së Kushtetutës apo parashikime kontradiktore për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme por asnjëherë në këtë prag krize nuk u mblodhën 10 apo 20 mendje të ndritura dhe kompetentë për të analizuar gjendjen dhe masat për ardhmërinë e bankave në Shqipëri. Indifirentizmi ndaj këtij problemi kaq të rëndësishëm nuk është një harresë e rastit, hapja e guackës së bankave mund të nxjerrë në dritën e diellit fitime marramendëse e transferta informale, invazion e deri pastrim parash në të cilat sigurisht mund të kenë pjesë dhe politikanët. Qëndrimi larg shenjtërisë të privatësisë së bankave do të thotë “larje duarsh” nga përgjegjësia e ndonjë falimentimi të mundshëm çka i jep kurajo politikës të ripërdorë shprehjen e vitit 1997 “ky ishte risku i keq në marrëdhëniet mes privatësh”.

Asnjëherë Bordi Mbikqyrës dhe Agjencia rrogëmadhe e Sigurisë së depozitave nuk është deklaruar publikisht për gjendjen e fondeve të garancisë, për kreditë e këqija, për transfertat dhe fitimet e secilës bankë në veçanti. Këto organizma që kanë të drejtën ligjore të kontrollit të bankave ashtu si shumë inspektoriate të tjerë shtetërorë qëndrojnë të heshtur, indiferentë, pa iniciative duke vegjetuar deri në komprometimin e detyrës së tyre sepse ndihen inferiorë ndofta dhe të korruptuar nga bosët e gjithëpushtetshëm të disa bankave të nivelit të dytë të cilët kanë të montuar prapakolp të fuqishëm politik.

Në këtë atmosferë të punës së mbyllur të bankave elementi i konkurencës dhe ai i mundësisë së përzgjedhjes së tyre nga klientela duke u bazuar në më shumë parametra, është pothuaj i pamundur çka zgjon njësinë e pasigurisë e të dyshimit dhe kjo është simptoma e parë e lindjes së krizës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat