Mbyllin fjalën shqipe!

Opinione

Mbyllin fjalën shqipe!

Nga: Shkruan Ibrahim BERJASHI Më: 10 prill 2009 Në ora: 23:40

Me shqiptarët në Malin e Zi, koalicioni qeverisës tash dy dekada bën eksperimente të ndryshme, edhe të gjitha këto manovrime kanë shkuar në dëm të shqiptarëve. Për këtë gjendje nuk mund të thuhet se nuk kanë faj liderët politikë shqiptarë, të cilët vërtetë se janë të përçarë, por nuk kanë këmbëngulur- ose ulemi e bisedojmë shtruar mbi statusin e shqiptarëve në Mal të Zi, ose braktiset parlamenti, qeveria, pushtetet lokale...Jo, kjo nuk ka ndodhur as nuk do të ndodh, sepse interesat personale janë dominuese edhe vendimtare..

Politikanët shqiptarë nuk i janë drejtuar me asnjë ultimatum qeverisë së Malit të Zi për kthimin e dy neneve të rrezuar nga Gjykata Kushtetuese, edhe pse Parlamenti pak ditë para referendumit të vitit 2006 për pavarësinë e shtetit, miratoi Ligjin mbi të drejtat dhe liritë e pakicave. Dy nenet kanë të bëjnë me përfaqësimin autokton të pakicave në Parlament. Politikanët shqiptarë nuk janë unikë as në mbrojtjen e pasurisë natyrore, të Ulqinit, Malësisë, Plavës e Gucisë. Shteti i Malit të Zi ka marrë bregdetin e Ulqinit, pyjet e Plavës dhe Gucisë, vreshtat e Malësisë. Tash disa vjet shpallen tenderë ndërkombëtare për, gjoja, dhënien me qira të tri perlave të bregdetit të Ulqinit, Ishullit Ada, Plazhit të Madhe dhe Gjirit të Valdanosit. Deri në fund të muajit të kaluar, nuk është paraqitur asnjë palë e interesuar për të marrë me qira 99 vjet këto pasuri të mëdha të patundshme në një zonë etnike shqiptare. Tenderët u përtërinë, por askush nuk pret që të trokasë në derë të qeverisë malazeze për t’i valorizuar këto resurse, sigurisht për dy çështje: partitë opozitare shqiptare dhe OJQ-të e Ulqinit kanë kundërshtuar fuqishëm këtë formë të dhënies me qira pa u pyetur parlamenti lokal i Ulqinit edhe tash ka ikur “epoka e parelive rusë”.

Rasti më i ri që ka irrituar shqiptarët është propozimi i qeverisë malazeze, përkatësisht të Ministrisë së Financave. Në kuadër të reduktimeve të botimeve të kompanisë së Ndërmarrjes Gazetare Botuese Grafike shtetëror “Pobjeda”, që të shuhet gazeta e vetme shqip në këtë shtet, “Koha javore”, e cila botohet tash shtatë vjet. Ky propozim që rrjedh nga qeveria ka hasur në reagime tek subjektet e ndryshme shqiptare. Kështu, Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi, kërkon, jo të shuhet, por hedh propozimin e shndërrimit të “Kohës javore” në gazetë të përditshme. Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi, deputet në Kuvendin republikan, thotë se lajmi është i qartë. “Ministria e Financave “kursimin e racionalizimin” në këtë krizë financiare (vallë a vetëm financiare!?) planifikon ta fillojë e ta bëjë me shqiptarët, me të vetmen javore në gjuhën shqipe!? Ky është vendimi i atyre që sa herë që e do puna për interesa e pikë politike, para faktorit ndërkombëtar përsërisin përmendësh se Mali i Zi “është shembull i harmonisë multietnike...”. Vallë kështu na qenka “harmonia multietnike...”, duke planifikuar reduktimin e privimin e të drejtës themelore - të drejtën e informimit në gjuhën amtare shqipe. Po çka që ky veprim do të jetë në kundërshtim edhe me dispozitat e Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave po edhe me Kushtetutën e Malit të Zi, madje ashtu të cunguara e diskriminuese, kur është fjala te të drejtat e pakicave!? LD dhe unë si kryetar e deputet i saj dhe deputet i ardhshëm i Listës Shqiptare, kundërshtojmë me forcë këtë planifikim ugurzi të mbylljes së gojës së të vetmes gazetë në gjuhën shqipe. Vallë, athua gjithmonë ne shqiptarët duhet të jemi fajtorë e humbësit kujdestarë kur është fjala për të mirën e përgjithshme të Malit të Zi!?” Kjo kësaj radhe nuk guxon të ndodhë. “Koha Javore”, nuk guxon të shuhet as të reduktohet e të bëhet nënfletë e Pobjedës. Dalja e saj në dritë me vendim të Kuvendit të MZ, me pjesëmarrje e me një pajtim të plotë të pozitës dhe opozitës parlamentare, pas kërkesës këmbëngulëse të LD-së e timin si deputet, ndihmës sekretarit për informata të MZ-së, Nikollë Camaj, e pëlqimit, pjesëmarrjes dhe përkrahjes së plotë nga sekretari D. Jarediq, e kryetari i Parlamentit S. Maroviq, më 20 qershor 1999, është një e drejtë e arritur, që pushteti nuk mund ta vejë në pikëpyetje jetën e saj. Prandaj, LD dhe unë si deputet do të vëmë në dispozicion gjithë qenien e dijen tonë, ashtu siç e vumë për ta formuar, tash mos ta lejojmë që ta shuajnë”, thotë Bardhi.

Bardhi, në kohën e themelimit të “Kohës javore”, ka qenë kryetar i Këshillit Drejtues të saj, ndonëse sot e kësaj dite ka mbetur e pasqaruar përse botimi i gazetës startoi me dy vjet vonesë. “Koha javore” është i vetmi institucion shtetëror i shqiptarëve që është botuar nga buxheti i shtetit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat