Nuk shitet identiteti

Opinione

Nuk shitet identiteti

Nga: Ibrahim Berjashi Më: 1 maj 2009 Në ora: 14:40

Ulqinakët, ish- pronarët e kompleksit të gjirit të Valdanosit, ku ndodhen mbi 20 mijë ullinj frutorë mijëvjeçarë, betohen se nuk do ta shesin identitetin e tyre kulturor, ekonomik,nacional, sepse kjo është një trashëgimi brez pas brezi. Qeveria malazeze, në vend se ulqinakëve t’ua kthejë pronat e tyre, ajo pretendon t’i japë me qira me kohëzgjatje deri në 90 vjet! Por, pronarët nuk pajtohen me këtë synim të Podgoricës zyrtare. Ata kanë nisur procedurën për të kërkuar drejtësi edhe në Strasburg, për të rimarrë e mbrojtur pronat e tyre, sepse “institucionet gjyqësore malazeze janë të politizuara edhe nuk marrin parasysh kërkesat e ulqinakëve të plaçkitur”. Qeveria malazeze ditë më parë, pa pëlqimin e ish-pronarëve të ullinjve as të pronave tjera në Gjirin e Valdanosit, shpallën tender ndërkombëtar për të dhënë me qira këtë perlë të bregdetit të Ulqinit, të cilin e fitoi kompania Cubus Lux pic nga Londra. Kjo i shtyri ish pronarët që të bashkohen. “Pronat tona me asnjë kusht nuk i japim”, ky është vendimi nga një tubim i ish pronarëve, të cilët kanë vendosur të vazhdojnë me protesta. Pronarët e ullinjve kanë kërkuar nga kryetari i Komunës, Gëzim Hajdinaga, i cili është anëtar i Komisionit të tenderit, që të angazhohet dhe të kumtojë qartë në Këshillin e privatizimit, se pa pëlqimin paraprak të Kuvendit të Ulqinit të mos japë me qira Valdanosin. “Ai është identiteti ynë shpirtëror e kulturor, ekonomik e ekzistencial”. Protestuesin porosisin tani katër deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi që “të jenë më aktivë edhe të përkrahin kërkesat e arsyeshme të 204 ish pronarëve, sepse aty është tërë qenia e identitetit të Ulqinit”. Instancave më të larta shtetërore të Malit të Zi u është dërguar kërkesa që t’u lejohet hyrja në ullishtë pronarëve për të mirëmbajtur pemët, sepse atyre u kërcënohet asgjësimi total. Pronarët insistojnë edhe në korrigjimin e rajonit që përfshin Plani i lokacionit, duke e përjashtuar plotësisht kompleksin e ullinjve. Pikërisht, siç thonë ulqinakët, ky plan ka shkelur Ligjin e kultivimit të ullinjve, sepse më se gjysma e kompleksit të ullinjve parashihet të prehen edhe aty të ndërtohen vila! Anëtari i Këshillit për kthimin e ullinjve, avokati Mustafa Çapuni thotë se askund në Mal të Zi nuk ka ndonjë rast të ngjashëm me Valdanosin e Ulqinit. “Na kanë marrë pronat për të ndërtuar bazën ushtarake, por ndërtuan pushimore. Kush mund të na marrë një shembull të ngjashëm në këtë shtet, se pronat sikur këto tonat në Ulqin nuk janë kthyer.

Ish funksionari i lartë komunal në kohën e monizmit, Basri Dervishi thotë se dikur një pemë ulliri jepte nga 100 e më shumë kilogram, ose 28 litra vaj të cilësisë më të lartë në Adriatik. “Po sikur t’i llogaritnim sot sa do të ishte ajo shumë parash e vajit të 20 mijë ullinjve frutorë? Sigurisht se janë më shumë se 100 milionë euro. E shihni se sa kemi humbur ne kultivuesit e ullinjve të Ulqinit, ka humbur edhe shteti i Malit të Zi”, thotë Dervishi. Kryetari i OJQ-së “Kalimera”, profesor Fejzi Hoxha kërkon që ullishta në Valdanos të trajtohet si një tërësi me vlera të larta ekologjike dhe zhvillimore. Ndërkaq, avokati Maksut Rejzi thotë se Mali i Zi nuk i ka marrë ullinjtë në Valdanos, ata i ka dhënë Komuna e Ulqinit. Saktësisht dihet se cili është ai grup i njerëzve.

Veselin Uskokoviq nga Podgorica, u ka sugjeruar ulqinakëve që drejtpërdrejt të kontaktojnë me kompaninë britanike që ka fituar në tender dhe ta bëjnë me dije atë se kompleksi i ullinjve është në gjyq. “Mos u frikësoni se dikush ka për t’i quajtur shqiptarët armiq të Malit të Zi, sepse të gjithë ne jemi qytetarë të barabartë. Thuajuni atyre se do të protestoni për çdo ditë në punishtet e tyre, duke kërkuar pronat tuaja legjitime, porositi avokati Uskokoviq i ardhur mysafir nga Podgorica. Kryetari i Komunës së Ulqinit, u ka premtuar ulqinakëve se do të jetë së bashku me ta kudo që të jetë nevoja për të realizuar të drejtat e tyre. Opozita, por edhe shumica e pronarëve të ullinjve, kritikojnë kryetarin Hajdinaga që nuk angazhohet në mbrojtje të pronave të Ulqinit, duke qenë anëtar i Komisionit qeveritar i valorizimit të resurseve më pikante të bregdetit të Ulqinit, Ishullit Asda, Grykës së Bunës, Plazhit të Madh dhe Gjirit të Valdanosit. “Punoj 24,00 orë në ditë, po asnjë sekondë kundër interesave të qytetarëve të Ulqinit. Nëse ky pushtet dëshiron të shkojë në Evropë, atëherë duhet të përmbush kushtet”, tha Hajdinaga, duke apeluar tek kultivuesit e ullinjve që të mos bien viktimë e presioneve politike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat