Haraqija, Morina dhe mesazhi proserb i Hagës

Opinione

Haraqija, Morina dhe mesazhi proserb i Hagës

Nga: Enver Bytyci Më: 18 dhjetor 2008 Në ora: 18:31

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka shpallur dënimin me pesë muaj heqje lirie të ish-ministrit të Kulturës së Kosovës, Astrit Hatraqija dhe me tre muaj të ish-këshilltarit të tij, gazetarit Bajrush Morina. Në vendimin e kësaj gjykate janë gjurmuar e "gjetur" plot "aresyetime", me të cilat krijohet ideja se "shqiptarët janë e keqja e rajonit". Media europiane i ka dhënë këtij lajmi një vend të caktuar. Sipas saj, Haraqija është dënuar për mospërfillje të Gjykatës ndërkombëtare, ndërsa Bajrush Morina, se i kishte i "bërë presion" një dëshmitari me numer dy, që ky të mos dëshmonte në gjyqin kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Vetë dëshmitari, sipas njoftimeve, e ka denoncuar Morinën gjatë dëshmisë së tij në Hagë dhe ka nxitur me këtë hetimet përkatëse si dhe përfundimin e tyre me një vendim për t'i dënuar "kriminelët shqiptarë".

Në muajin prill të këtij viti, kur Ramush Haradinaj ishte liruar si i pafajshëm nga akuza e ngritur në Hagë, presidenti serb, Tadiq, deklarohej ashpër dhe akuzonte Gjykatën e Hagës për njëanshmëri në qëndrimet e saj. Dhe nëse i shohim në rrjedhë të gjitha ngjarjet që janë zhvilluar në Hagë e jashtë saj deri te rasti Haraqija e Morina, gjithkush mund të vërejë disa qëndrime kontraverse të Gjykatës ndërkombëtare të Hagës e më gjerë:

Së pari, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është krijuar për të gjykuar e dënuar krimet në ish-Jugosllavi. Por në mungesë të kësa ajo ka filluar të "dënojë" viktimat serbe. Autorët e ktyre krimeve çnjerëzore shetisin të lirë në të gjitha territoret serbe, ndërkohë që shqiptarët dënohen, pse nuk i thonë Ok kësaj gjykate. Ndërsa dënohet Astrit Haraqija edhe pse nuk ka bërë asnjëlloj krimi të dëshmuar, nuk merren në ndjekje penale me qindra, mijëra e dhjetëra mijë serbë, të cilët kanë vrarë, masakruar e përdhunuar shqiptarët e shqiptaret e pafajshme. Ndërsa dënohet një gazetar shqiptar, ish-këshilltar i ministrit, pse paska kontaktuar me një dëshmitar, mëshirohen dhe lihen në harresë më mijëra serbë kriminelë, që ende sillen si të tillë. Nëse Gjykata Ndërkombëtare e Hagës i gjen "krimet kundër njerëzimit" tek dy shqiptarë, të cilët nuk e dijnë se çfarë është arma, duket se e bën këtë për të fshehur krimet makabre serbe të dëshmuara deri te kallashnikovi i Koshtunicës. Kjo është njëra anë.

Së dyti, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka dënuar një person, Bajrush Morinën, pse ky paska kontaktuar me një dëshmitar, i cili megjithatë ka mbërritur shëndosh e mirë para trupit gjykues dhe ka "dëshmuar" sajesat e tij për gjoja krimet e Ramush Haradinajt. Por shqiptarët nuk mund të mos shohin faktin se me dhjetëra e qindra raste në Serbi janë bërë presione e kërcnime të tilla, ndërsa në Hagë askush nuk është marrë me të tilla raste. Në Serbi ndodhen me mijëra e dhjetëra mijë serbë, të cilët kanë sfiduar me të gjitha mënyrat këtë gjykatë e vendimet e saj, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk është marrë në proces penal. Në Serbi janë më mijëra serbë që janë bërë mbrojtje e padepërtueshme e Karaxhixhit dhe e Mlladiçit, por asnjë prej tyre nuk është thirrë në sallën, ku ishte thirrë Astrit Haraqija e Bajrush Morina. Vendimi për "dënimin" e këtyre dyve ka vulosur përfundimisht faktin se në Hagë është i pranishëm sentimenti serb i urrejtjes dhe armiqësisë me shqiptarët. Jo se ligji nuk i dënon ndoshta këta dy persona, për të cilët është marrë vendimi, por se më parë se këta do të duhej të shkonin në sallën e Gjyqit të Hagës ndoshta nja njëqind ose dyqindmijë serbë.Ky lloj seleksionimi jo vetëm është i papranueshëm, por është njëkohësisht shërbesë e imazhit negativ të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, tek e cila aq shumë shpresa kishin në fillim viktimat e terrorit serb në Ballkan.

Së treti, thuhet e shkruhet se Bajrush Morina është dënuar me tre muaj, edhe pse ai "i ka kërkuar falje dëshmitarit 2". Sipas logjikës së "drejtësisë" që bëhet në Hagë nëse kërkon falje dënohesh, edhe pse nuk ke bërë asnjë veprim kriminal real. Ndërkaq, nëse nuk kërkon falje shpërblehesh, siç shpërblehen kriminelët serbë në pushtet e jo në pushtet, edhe pse kanë shkaktuar mijëra e dhjetëra mijë viktima. Sipas kësaj logjike, e cila është e pranishme në segmente të shumta të politikës europiane, udhëheqësit serbë, kriminelë e jo kriminelë, nuk duhen ndëshkuar as juridikisht, as politikisht, pasi ata nuk kërkojnë falje për krimet e panumërta kundër shqiptarëve. Pra, nëse e njeh institucionin e pendesës morale, atëherë në optikën e Hagës duhet ta pësosh, pavarësisht së pendesa në rastin e Morinës nuk është pendesë për një krim apo faj. Bajrush Morina, i cili i paska thënë një njeriu "mos dëshmo kundër Ramushit", por që as e ka prekur me majën e gishtit dhe që merr guximin që për një sjellje të tillë të kërkojë falje, ky po, ky duhet dënuar. Udhëheqësit politikë në Beograd, edhe pse kanë marrë pjesë në një mënyrë ose në një tjetër në krime, edhe pse i fshein krimet e kriminelët, ata shpërblehen në Hagë, në Bruksel e më gjerë. A nuk është kjo dëshmi e pakontestueshme se Haraqija dhe Morina janë dënuar nga Haga jo për vepër penale, aq më pak për krime, por thjesht për faktin se ata janë shqiptarë?! Kjo mënyrë sjelljeje ishte praktikuar nga Milosheviçi dhe tash Haga inkurajon qeverinë e sotme serbe që ta risendërtojë atë në raport me shqiptarët.

Së katërti, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për të ndëshkuar qoftë dhe më një ditë burg dy shqiptarë, që kurrë nuk kanë qenë të armatosur, që kurrë nuk kanë bërë ndonjë betejë dhe mbrojtja e kriminelëve të vërtetë serbë, është inkurajim tjetër që i bëhet Tadiq dhe shpurës së tij për t'iu rikthyer metodave të Milosheviçit kundër shqiptarëve. Orekset serbe për tërritore historikisht janë ushqyer në qarqe të shumta europiane. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dëshmoi më së fundi se i përket këtij skalioni antishqiptar me prirjen për të përgatitur tragjedi të reja në Ballkan.

Dhe së fundi, një shqiptar, dy apo më shumë kanë dëshmuar kundër Ramush Haradinajt. Fakti që ky është liruar nga akuza si i pafajshëm, dëshmon se këta dëshmitarë kanë qenë të rremë, ose të paguar, ose të kërcënuar nga një palë tjetër, e cila ka qenë e interesuar për dënimin e Haradinajt, në rastin konkret nga Beogradi. Pra nuk janë paguar ose kërcënuar nga përkrahësit e Haradinajt. Por mosntra të tilla nuk mund të gjesh asnjë në Serbi. Në territorin serb qarkullon prej 13 vitesh një afishe, me të cilën fotohen serbët për të denoncuar kriminelët Karaxhixh e Mlladiç. Madje në afishe ofrohen pesë milion dollarë amerikanë për sejcilin prej këtare dy kriminelëve. Një pesë milionëshi nuk i doli për zot askush ne Serbi, edhe pse Karaxhixh shkoi në Hagë. Për pesë milionëshin tjetër as që bëhet fjalë. Nuk ka guxuar dhe nuk guxon asnjë serb t'i gëzojë ato miliona e të denoncojë Mlladiçin si dhe kriminelë të tjerë në luftrat tragjike në ish-Jugosllavi. Ndërsa ndër ne shqiptarët, ndonëse me pakicë, gjenden madje "dëshmitarë" vullnetarë për t'iu kundërvënë së vërtetës, shkurt njëri-tjetrit. Dhe e vërteta është e dy fishtë: Se Ramush Haradinaj e para tij Fatmir Limaj i dëshmuan botës se krimi e kriminelët nuk duhen e nuk mundet të kërkohen në Kosovë. Se për fat të keq, në dallim nga serbët, ka të paftyrë ndër ne shqiptarët që e shesin kaq lirë lëkurën e tyre.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat