SI E FILLOI LUFTËN SERBIA E TADIQIT?

Opinione

SI E FILLOI LUFTËN SERBIA E TADIQIT?

Nga: Teki Dervishi,BOTA SOT Më: 7 janar 2009 Në ora: 14:15

“Protesta” e Tadiqit “vendeve anëtare” të Këshillit të Sigurimit, ma kujton vitin 1987, mitingun në Fushë-Kosovë para masave të histerizuara serbe. Milosheviqi gërvallej “askush nuk do të lejohet t’ju rrahë ju”! Folklori politik spektakular i protestës që bënte shteti policor kundër një pakice brenda atij shteti, është model déjà vu: propaganda inkriminuese kundër një populli i paraprinë luftës etnocide. Paralajmërohet “projekti strategjik” i mbrojtjes së pakicave, folk-politika e britmave patetike militariste, se kështu internacionalizohet “fakti” se qytetarët e paarmatosur po “e dhunojnë” një shtet të fortë policor-ushtarak.

Është mirë të rikujtohet pikërisht “internacionalizimi” i “dhunës” ndaj serbëve të Kosovës, që e ekzekutonte propaganda serbe e kabinetit të Milosheviqit, duke i paraqitur shqiptarët para botës si “terroristë” “të pacivilizuar”, “dhunues të plakave serbe”, “poshtërues të varreve”, “tepricë otomane në Evropë”, “sadistë”, që fusin shishe birre në “pjesë diskrete” të “viktimës” serbe, etj., etj., etj. Dihet: diplomacia serbe është fakturë e procedimt politik të propagandës, që e pranon edhe Qosiqi, është indoktrinim i rrenës që përsëritet pa turp derisa ajo lloj rrene të shndërrohet në një “të vërtetë”. Diplomacia serbe, që kur dihet, propagandon autoflijmin serb, që polica sekrete e inskenon si dhunë (paraprakisht e konstruktuar) sipas skenarit politik. Në këtë mënyrë, arrihet solidarizimi i “bashkësisë” ndërkombëtare me “viktimën serbe” (kujtoni Konferencën e Londrës, Kongresin e Berlinit, Versajën, Jaltën, etj., etj.) dhe kështu bashkësia ndërkombëtare e merr në mbrojtje “popullin e viktimizuar” serb, si sot që e mbrojnë edhe forcat e NATO-s dhe policia e gjithë botës. Qe 10 vjet armata dhe policia botërore i mbron 3% serbë nga “dhuna” e popullit “jocivilizues” shqiptar.

Ndaj “incidenti” që nisi luftën në Mitrovicë është një déjà vu e metodës së autoflijimit serb nga “dhuna” e shqiptarëve. Kjo metodë është e njohur që nga kohët e Perandorisë Osmane, kur serbët i dërgonin protesta sulltanit kundër shqiptarëve, edhe pse dihej që pushteti nuk ishte në dorë të shqiptarëve. Metoda e diplomacisë serbe, si propagandë tradicionale e ankesave kukuvajke “të viktimës”, shihet qartë edhe në “letër-protestën” e Tadiqit dërguar “vendeve anëtare” të Këshillit të Sigurimit, Ban Ki Munit dhe Çekisë. Por, ndryshe nga situatat e dikurshme skenografike, “të dhunës” shqiptare kundër shtetit të Milosheviqit, që kishte dëshmitarë vetë të “dhunuarit” serbë, që ftonin gazetarët botërorë “dy ditë pas aktit të dhunës”, në luftën e Vitit të Ri (2009) të Mitrovicës, dëshmitarë ishin forcat e UNMIK-ut, të KFOR-it, të EULEX-it etj., që panë nga vendngjarja se si po digjeshin pronat e shqiptarëve, e jo të serbëve. Po si “guxon” Tadiqi t’i gënjejë “vendet anëtare” dhe Ban Ki Munin, se kinse EULEX-i nuk po i mbron “viktimat” serbe nga “ekstremistët” shqiptarë? “Modernistëve” kosovarë ky “gjest” i Tadiqit u duket politikë tradicionale primitive serbe, e thonë, bota po e sheh si po gënjen Tadiqi, pasi që në vendngjarje kanë qenë UNMIK-u, EULEX-i dhe KFOR-i dhe këta vijnë nga “vendet anëtare” të KS-së, demek -“katundi që shihet nuk do kallauz”! Por, Tadiqi “do kallauz” dhe nuk i intereson “çka shihet”, por çka thotë ai, çka regjistrojnë aktet zyrtare në “vendet anëtare” të KS-së. Politika nuk sheh. Politika thotë, reagon, vepron, procedon akte zyrtare si dëshmi për “nesër”! Ne vetëm shohim, na mjafton që argumentet janë në anën tonë. Qe 100 vjet nuk na bie ndërmend se argumentet tona po i mundë rrena e diplomacisë propagandistike serbe.

Vërtet çka thotë Tadiqi? Tadiqi u thotë (“vendeve anëtare” të KS-së) se po “dështon” bashkësia ndërkombëtare në mbrojtje të 3% të serbëve të Kosovës. Ani?! E po nëse po dështon “bashkësia”, Serbia detyrohet t’i marrë punët në dorë në bazë të legalitetit të “6 pikave të 1244”-shit, që janë zyrtare edhe për “bashkësinë”, dhe Serbia do ta mbrojë pakicën serbe në Kosovë, meqë këtë punë s’po ia del ta bëjë sidomos EULEX-i. A ju kujtohet çka tha Karaxhiqi lidhur me “lejen” që i kishte dhënë “bashkësia” të bënte humor në Srebrenicë? Pse të mos supozojmë se edhe Tadiqi “demokrat” mund të ketë sinjale që forcat ushtarake paqeruajtëse të shikojnë me indiferencë derisa armata dhe paramilitaria e shtetit zyrtar serb, 1244, t’i mbrojë serbët me forcë të armës nga “dhuna” shqiptare në Mitrovicë, Graçanicë, Kamenicë? A nuk ishte një “provë e përgjithshme” shikimi indiferent nga ura, gjatë djegies së pronave shqiptare gjatë Vitit të Ri? Por, a nuk dihet se në veri të Kosovës nuk ka më qytetarë shqiptarë, as prani të pushtetit kosovar atje, kështu që armata dhe policia e Tadiqit nuk ka qëllim ta ndalojë “dhunën” shqiptare në një vend pa shqiptarë, as nuk ka qëllim të vrasë shqiptarë, të cilët tashmë nuk jetojnë atje, por ka qëllim ta “stacionojë” aty edhe zyrtarisht administratën dhe armatën e shtetit serb, që quhet 1244, dhe e garantojnë 6 pikat edhe zyrtare, edhe “joobliguese”.

Nuk është puna e “sinjaleve” që do të mund t’i ketë në dorë akt-strategjia ushtarake e fashistit demokrat Boris Tadiq, jo! Djegia e pronave shqiptare dhe plagosja e qytetarëve shqiptarë në veri bëhet me qëllim të frikësimit dhe krijimit de facto të “tokës së djegur”, shpronësimit shqiptar, shpërnguljes, krijimit të “enklavave” njënacionale në “pjesët” e shtetit multinacional. “Bashkësia” është naive dhe nuk sheh se në veri funksionin shteti zyrtar serb, të cilin “nesër” do ta zëvendësojnë tri “stacione” policore të “propozuara” nga opozita kosovare (!!!) O, Zot, humor, humor! Atributet e shtetit serb në Kosovë (armata, policia, gjyqësia) tash për tash veprojnë pa uniformë dhe të gjitha nën petkun civil. Por, janë këtu. Pra, para syve indiferentë të helmetave violete në përfytyrimin makabër të skenave të Srebrenicës. Kush po i hapë rrugët anësore në qindra hektarë toke në “rrethin” e Kamenicës, ku ndalohet qarkullimi për shqiptarët? Kush tha pas Kumanovës, “arritëm një armëpushim”!? Protesta e Tadiqit “vendeve anëtare”, është veprim konkret politik rutinor brenda proceseve të projektuara në Këshillin e Sigurimit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat