Të formohet Unioni Ekonomik Kosovë – Shqipëri

Opinione

Të formohet Unioni Ekonomik Kosovë – Shqipëri

Nga: Prof. dr Musa Limani Më: 28 gusht 2009 Në ora: 13:27

Kur të kryhet edhe pjesa e Kosovës e autostradës, distanca kohore mes Prishtinës dhe Tiranës do të jetë më së shumti tri orë me makinë. Kështu, njerëzit mund të hanë mëngjesin në Prishtinë, drekën në Tiranë dhe darkën prapë në Prishtinë dhe anasjelltas. Po ashtu, kjo rrugë në mënyrë të ndërsjellët do të mundësojë shumë lehtë qarkullimin dhe plasmanin e mallrave në tregun e Shqipërisë dhe të Kosovës. Në këtë mënyrë me intensitet shumë të madh do të fillojnë proceset integruese mes ekonomisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, që do të shprehen në intensifikimin e zhvillimit ekonomik mes trojeve tona. Kjo rrugë në veçanti do të ndikojë dhe hap perspektivën e zhvillimit të turizmit veror në Shqipëri dhe atë dimëror e rural në Kosovë. Lidhur me këtë po sjellë vetëm një të dhënë. Me të kthyer nga pushimi (20 gusht) në pikën kufitare të Shqipërisë pyetëm një doganier se sa makina brenda 24 orëve kalojnë kufirin. Ai u përgjigj: 3000 makina. Të njëjtën pyetje ia bëmë një doganieri në kufirin e Kosovës, i cila na tha se brenda 24 orëve kalojnë kufirin rreth 5.000 makina. Ndonëse, nuk përputheshin të dhënat, këto shifra tregojnë se ishte një fluks i madh i turistëve që ia mësynin bregdetit të Shqipërisë. Fluksin e numrit kaq të madh të njerëzve nuk kanë mundur ta parashikjnë as optimistët më të mëdhenj. Andaj, s’ka dyshim se, me kryerjen e tërësishme të autostradës në fjalë numri i turistëve, veçmas në Shqipëri do të shtohet dukshëm, dhe turizmi, nëse ndërtohet infrastruktura rrugore e brendshme, intensifikohet zhvillimi i bujqësisë dhe hotelerisë do të paraqes pol të zhvillimit ekonomik në këtë vend. Kjo rrugë hap portën e përjetshme për Kosovën ndaj botës, dhe tani më asnjë shtet fqinjë nuk mund të bëjë embargo (bllokadë) ekonomike ndaj vendit tonë, siç ndodhi në vitin 2001 nga Maqedonia dhe si po ndodhë tani nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Nga aspekti ekonomiko-politik kam guximin dhe lirin si ekspert i politikave zhvillimore makroekonomike, që të sugjerojë qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës të formojnë Unionin Ekonomik, si formën më të lartë të proceseve integruese bilaterale, e cila formë e integrimit ekonomik në vete përfshinë, jo vetëm heqjen e doganave për qarkullimin e mallrave, por edhe të gjitha inputeteve (faktorëve), pra të fuqisë punëtore, të kapitalit, të shërbimeve etj. Kjo do të paraqes formën më të lartë të integrimeve ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe njëheritë hapin më të siguritë drejt integrimeve ekonomike ballkanike dhe evropiane. Në Unionin Ekonomik, pos elementeve të sipër cekura përfshihen edhe përcaktimi i politikës së përbashkët zhvillimore, kjo aq më parë kur dihet se Shqipëria dhe Kosova janë komplementare mes vete me resurse natyrore dhe me faktorë të tjerë të zhvillimit. Me këtë rast po përmendi vetëm hartimin e strategjisë së përbashkët në fushën e energjetikës. Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri është 95% nga hidrocentralet, kurse në Kosovë 98% nga termocentralet. Andaj, gjatë verës Kosova mund ta furnizojë Shqipërinë me energji elektrike, kurse gjatë dimrit Shqipëria Kosovën. Andaj, me një strategji të përbashkët, si Shqipëria ashtu dhe Kosova në periudhë afatgjate mund të zgjidhin problemin e energjisë elektrike, si faktor limitues i zhvillimit ekonomik. Lidhur me politikat e përbashkëta zhvillimore, mendojë se Shqipëria dhe Kosova duhet të formojnë trupa të përbashkëta profesionale, si: Këshilla, Komisione e të ngjashme për hartimin e strategjisë së përbashkët të zhvillimit makroekonomik. Mendojë se në këtë drejtim jemi vonuar, këto gjëra duhet të zbatohen në praktikë sa më parë, sepse është interesi reciprok i dy vendeve tona, përkatësisht interesi kombëtar. Këto procese njëherit janë edhe në frymën e proceseve integruese ballkanike, evropiane dhe të globalizmit ekonomik botëror. Aspekti rajonal i autostradës në fjalë, është shumë i madh. Për mes kësaj rruge, si Shqipëria ashtu dhe Kosova shumë shpejtë do të integrohen në proceset integruese ekonomike dhe në tregjet ballkanike, evropiane dhe më gjerë. Po ashtu, kjo rrugë vendeve të Evropës Qendrore, Evropës Lindore dhe Juglindore u bënë të mundur që shumë më lehet të dalin. në portin e Durrësit dhe të kyçen në komunikacionin detar botëror. Me këtë rast, si Shqipëria ashtu dhe Kosova do të kenë përftime të mëdha financiare, nëpërmjet taksave (doganave) tranzitore dhe taksave të tjera që u nënshtrohen të gjithë ata që e shfrytëzojnë këtë rrugë. Andaj, s’ka dyshim se kjo rrugë ka karakter ndërkombëtar dhe si e tillë luan rol pozitivë në intensifikimin e proceseve integruese ekonomike bilaterale dhe multilaterale, veçmas ndaj vendeve të Ballkanit dhe të Evropës. E gjithë kjo tregon që pjesa e autostradës së Kosovës duhet të fillojë dhe të kryhet sa më shpejt që është e mundur dhe duhet të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës në ngritjen e infrastrukturës rrugore. Autostrada në fjalë, ishte ndërtuar me standarde evropiane. Pos, elementeve bashkëkohore rrugore, ajo kishte edhe një konstruksion artistik. Bukurinë e kësaj rruge e shtonin tarracat që ishin ndërtuar shkallë, shkallë në prerjen e çdo kodre. Ato ishin atraktive dhe të tilla që kur i shikon të pushon syri dhe paraqitnin një ambient autokton konfigurativ të Shqipërisë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat