Policia serbe ‘e Kosovës’

Opinione

Policia serbe ‘e Kosovës’

Nga: Teki DERVISHI Më: 31 gusht 2009 Në ora: 16:59

Nga policia e Kosovës, pas shpalljes së Pavarësisë, u shkëput “kordoni gjuhësor” i një tërësie kombëtare “kosovare”. U shkëput “zinxhiri” (imagjinativ) komandues i “protestantëve profesionalë” serbë. I konsideronin serbë vetëm sipas Ahtisarit, kurse në realitet ata ishin (dhe ende janë) serbë edhe sipas Ahtisarit edhe sipas Tadiqit edhe sipas Solanës. Katërfish bëhen serbë edhe sipas Papa Benediktit që po i përkund në djepin e tyre të krishterë që quhet Kosovë e kosovarëve të tjerë shqipfolës.

Le të mos e pranojnë serbët Ahtisarin, punë e madhe, që ku është “Prishtina” që nuk heq dorë nga Ahtisari, madje edhe kur vetë Ahtisari (sponsori i tij - OKB-ja) ka hequr dorë nga Ahtisari. Këshilli i Sigurimit nuk e ka shpallur të pavlefshëm Ahtisarin (por nuk e ka pranuar), kurse analiza kosovare nuk thotë se KS-ja, por thotë se “Beogradi” e ka shpallur të pavlefshëm Ahtisarin e gjorë. Dihet metoda e analizës sonë, është shumë e lehtë: vetëm thuaje të kundërtën që thotë “Beogradi”, i cili po ashtu e ka zbuluar laboratorin në studion tonë të analizës politike kafeneske. Le që, cili parlament, pushtet, a opozitë “analizon analizën” duke pasur të gatshme “opsione” që u servon në tavolinën e (pa)punës shoku “misionar”, partneri i devotshëm i “Beogradit”. Me një fjalë “Beogradi” nuk e pranon Ahtisarin, duke e ditur që ne e bëjmë vetëm të kundërtën e qëndrimit të “Beogradit”. Çka s’pranon “Beogradi” e pranojmë ne, dhe anasjelltas. “Beogradi” nuk e pranon Ahtisarin në teori dhe në mediat e tij “analitike”, kurse në praktikë ligjore, bashkë me EULEX-in, “Beogradi” në Kosovë zbaton Ahtisarin fije e për pe, me precizitet “juridik”, sipas anekskontratës politike të nënshkruar nga Ban Ki-a në emër të BE-së. Në emër të BE-së, sepse kjo (EULEKX-i) do t’i emplementojë (ekskluzivisht) “ligjet” e ndryshme që dalin nga anekskontrata e përmendur e Ban Ki-së.

Ç’është e vërteta, Ahtisarin në Kosovë nuk po e zbaton vetëm “Prishtina”, sepse “Prishtinës” i mjafton që e pranon Ahtisarin, e për ta zbatuar, le ta zbatojë EULEX-i me partnerin e tij serb. “Prishtina” me histeri përpiqet ta zbatojë Ahtisarin, por mezi arrin ta zbatojë në Prishtinë, por jo edhe dy hapa më tej, në Graçanicë. Flamujt e Serbisë së Ahtisarit shihen në çdo shtyllë elektrike që nga Leposaviqi deri te Ura e Kushnerit në lumin Ibër. Targat KS të automjeteve, po kalove “rastësisht” nëpër “tërësinë territoriale”, duhet t’i heqësh dhe t’i vësh në gepek, se është e ndaluar targa KS në tërësinë territoriale të Kosovës së Ahtisarit. Ahtisari quhet Kushtetutë, ligj, kurse sa i përket zbatimit të ligjit, “Prishtina” nuk është kompetente, por janë EULEX-i dhe Solana, gati harrova - edhe partneri i tyre, jo, jo më “Beogradi”, por - Serbia!

Në përpjekjet histerike të “Prishtinës” që edhe “Beogradi” ta pranojë “Ahtisarin”, në mënyrë që ndër “shumë” atribute shtetërore Kosova të kishte edhe polici të Kosovës (e jo veç të Serbisë), u ngrit në këmbë krejt klasa politike dhe u angazhua (me ndihmën e të paevitueshimit EULEX) që t’i kthejë serbët në gjirin kosovar të Policisë së Kosovës, dhe ia doli këtij qëllimi. Rroga nga buxheti i Kosovës u ecte, plus “bonuseve” që i takojnë çdo lloj etniciteti që pranon të miksohet në “multi” etni të privilegjuar, sepse ka hequr dorë nga kombi “hyjnor” serb dhe ka pranuar ta përqafojë “kombin” kosovar. Por policia serbe e Kosovës s’e hante hiç. Dikur doli prej deti EULEX-i dhe i bindi. Tash ata janë polici e Kosovës që i shërben MUP-it të Serbisë dhe EULEX-it, prapë me rroga të buxhetit të Kosovës. Kosova i jep rroga MUP-it të Serbisë.

Çka s’ka ndodhur gjatë përvojave të aparteideve dhe diktaturave ushtarake policore, por kurrë nuk ka ndodhur që populli t’u japë rrogë atyre që ia shkelin sovranitetin dhe ia okupojnë tërësinë territoriale të shtetit! S’ke ç’bën, janë këto euroligje evropiane, kurse Evropa, siç e dini, ka traditë të lashtë juridike, që nga inkuizicioni spanjoll i stërgjyshit të Solanës, e deri te Holokausti që Papati nuk e antatemoi pasi që mbajti qëndrimet “subjektive” biblike ndaj tradhtarëve hebrenj të Krishtit në Darkën e Fshehtë me Judën.

Ish-hyjnorët e krishterimit serbë refuzuan “detyrën” (komandën), por pranuan uniformat e policisë së Kosovës, pranuan zinxhirin komandues të EULEX-it dhe partnerit të EULEX-it - Serbisë. Tash e ruajnë kufirin e Ibrit në “tërësinë” territoriale kushtetuese të Kosovës, mos helbete po kalon andej kufirit ndonjë shqiptar që me mend në krye provon të rindërtojë shtëpi në djepin serb të Papa Benediktit. Aty është edhe KFOR-i më buldozerë, gjithmonë vigjilent ndaj rariteteve kulturore romake të Gllamnikut në paralagjen e Podujevës. Papa kujton se edhe para Krishtit ka pasur serbë në Kosovë.

Një ambasador i një shteti këtu në Kosovën e Pavarur, para do ditëve tha se kurrë askush nuk do të mund ta ndajë (copëtojë) Kosovën. Pra pikëpamja e tij nuk ishte futuriste, por ishte “pikëpamje në prezent” gjuhësor, dhe sipas tij, sot Kosova ka tërësi kushtetuese territoriale (nuk thotë në “letrat” e Ahtisarit), lere që në të ardhmen askush nuk do të mund ta ndajë Kosovën, madje as Papa Benedikti. Në të ardhmen vetëm nëse del dikush dhe e bashkon Kosovën si ide megalomane të shekullit 19, porse sot për sot partnerët e Serbisë i kanë vendosur flamujt dhe policinë serbe të Kosovës “në vende të caktuara” të “tërësisë” territoriale. Vetëm në dy “pika” doganore, jo më shumë, mos u mërzitni, hynë e dalin kamionë serbë përplot, pa ua hedhur një sy doganieri serb i policisë së Kosovës që në një karrige, si në filmat e Boni Enit pi tekila-shlivovicë me meze sllaninë e kobasica Shumadije. Kamera indiferente i ka parë doganierët serbë të policisë së Kosovës duke pirë bashkë me elitarët evropianë, të cilët i njohim si konsumues të pijeve fisnike - uiski irlandez dhe shampanjë franceze, e jo shlivovicë. Por vakti rus e ha kashtën!

Ore, ai ambasadori konstatoi se Kosova sot ka tërësi kushtetuese dhe se as në të ardhmen askush nuk do të mund t’ia “prekë kufirin”, s’ka ndarje të Kosovës, s’ka hapje të Kutisë së Pandorës. Pikë. Kjo për publikun e gjerë sportiv dhe teatror, sidomos për do analistë, mjafton fjala e ambasadorit që ne të bindemi se edhe sot Kosova ka tërësinë kushtetuese territoriale, madje edhe kur decentralizimit po i rrëshqet këmba në bajgat që ia hodhi fytyrës “Vetëvendosja”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat