PS në dimrin e vetmisë së madhe

Opinione

PS në dimrin e vetmisë së madhe

Nga: Halil RAMA Më: 12 shtator 2009 Në ora: 12:10

Për të përligjur lënien e Grupit parlamentar të Partisë Socialiste jashtë Parlamentit, kreu i PS-së, Edi Rama dhe mbështesit e paktë të tij po shkojnë nga një alibi në një tjetër. Para dy ditësh, idetë djallëzore të liderit i hodhi për konsum publik Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade. Në të njëjtën llogore qe shfaqur edhe jashtëparlamentari Gjinushi, duke rënë në gjunjë para Edvinit, ndonëse ishte ky i fundit që e nxori atë përfundimisht nga skena politike shqiptare, siç bëri dhe me disa nga eksponentët kryesorë të PS-së. Tashmë, duke imponuar bojkotin e Parlamentit pa afat, ky xhind në krye të partisë më të madhe opozitare në vend po e çon atë drejt një izolimi total. Strategjia e rrugës s'është gjë tjetër veçse rikthimi në metodat e vjetra të luftës frontale kundër të gjithë "armiqve të brendshëm e të jashtëm!". Duke dashur të bëjë edhe prokurorin edhe gjykatësin famëkeq të kohës së diktaturës, Edi Rama përpiqet të justifikojë me çdo formë e mjet humbjen në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit. Insistimi për të zgjatur bojkotin, në një kohë që vijon normalisht procesi kushtetues i konstituimit të legjislativit dhe ekzekutivit të ri shqiptar, dëshmon qartë dëshirën për regres të njeriut që me metoda mafiozo-komuniste ka uzurpuar kreun e njërës prej forcave kryesore politike në vend.

Dhe për më keq, strategjia e dalë boje e bojkotit po mbështetet vetëm nga disa elementë destruktivë, të evidentuar si pro edvinistë në luftën frontale kundër "të mëdhenjve". Ata duket se kanë një bazë militantësh të qëndrueshëm afër vetes të lidhur ngushtësisht me aferat korruptive të kreut të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që po braktisen masivisht nga elektorati i majtë shqiptar, si dhe nga homologët e tyre europianë që e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre kundër bojkotit të Parlamentit. Zëra potentë brenda PS bëjnë të ditur gjithashtu, se në këtë iniciativë vetëshkatërruese për PS-në, Edvini dhe klani i tij po shfrytëzojnë edhe resurset financiare që kanë të siguruara nga buxheti i Bashkisë dhe sidomos nga aferat korruptive me atë pjesë të biznesit të interesuar për të mbajtur marrëdhënie të hapura apo okulte me ata që kanë në dorë lejet e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës.

Të motivuar vetëm nga ethet e pushtetit, nga "kolltukomania", nga një pragmatizëm hipokrit, Rama, Shalsi, Dade, Mimi e disa të tjerë që drejtojnë fushatën manipulative "një pallat-një votë", po shpërfillin me cinizmin më absurd edhe rekomandimet e zyrtarëve të lartë europianë, kundër bojkotit të institucioneve legjitime. Tashmë s'ka asnjë dyshim se në luftën për të ruajtuar me çdo kusht Edvinin në krye të Partisë Socialiste, ata synojnë pushtimin e një llogoreje prej nga mund të dominohet një pjesë e fushë-betejës, pra fitimin e statusit që quhet "faktor". Por me këtë strategji ata po e fusin Partinë Socialiste në dimrin e vetmisë së madhe. Jashtë çdo një ekuivalence morali, në përpjekjet e ethshme për të mbajtur me çdo kusht e mjet kreun e PS, Rama po përdor patericat e Bashkisë kundër elementëve progresistë që dëshirojnë shndërrimin e PS-së në një alternativë të majtë të besueshme. Përkundër transparencës së munguar në marrjen e vendimeve absurde për bojkot në bazën e PS ekziston një mosbesim i madh tek lidershipi i saj aktual. Bojkoti i Kuvendit nga Partia Socialiste është një alibi e Edi Ramës për të mos pranuar rezultatin zgjedhor që e la PS-në në opozitë, për të cilin ai është përgjegjës më shumë se gjithë të tjerët. Kjo është një rrugë pa krye, ecja në të cilën e jashtëparlamentarit Edvin Rama rrezikon vetë PS-në.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat