Delegjitimimi i Ramës

Opinione

Delegjitimimi i Ramës

Nga: Bledi KASMI Më: 16 shtator 2009 Në ora: 12:04

Tri javë më parë, kryetari pa mandat i PS doli i turbulluar nga zyra e tij pas një takimi me një delegacion të lartë të OSBE, të kryesuar nga zv.presidenti i këtij organizmi dhe deklaroi para mediave, se qëndrimet e tyre në mbrojtje të procesit zgjedhor dhe përçueshmërisë së tij ishin personale. Që nga ajo ditë dhe deri më sot, Rama ka dështuar me të gjitha mekanizmat e tij apo të ashtuquajturat lobingje që të bëjë të mundur që të ndikojë në tjetërsimin e raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Kudo i kanë mbyllur dyert dhe askush nuk ka pranuar që të japë një deklaratë që t'ia lehtësojë sado pak pozitat dëshpëruese, në të cilat gjendet sot Rama. Ka gjetur ngushëllim vetëm tek disa specie në Tiranë që përfaqësojnë Komitetin Shqiptar të Helsinkit, por që nuk ka asgjë të përbashkët me Helsinkin e vërtetë. Përtej këtij organizmi që drejtohet nga kryesuesja e listës së PS për Tiranën, Rama ka hasur në mure të pakalueshme. Askush nuk ka thënë deri më sot, se në zgjedhje pati parregullsi apo që rezultatet u vunë në pikëpyetje. E kundërta ka ndodhur.

Deklarata e tij e djeshme ishte qesharake. Kryetari pa mandat i PS mundohej të tjetërsonte edhe raportin e OSBE-ODIHR dhe anashkalonte boshtin e këtij raporti, sipas të cilit nuk kishte asnjë provë për parregullsi në numërimin e votave apo manipulim të rezultateve të zgjedhjeve. Ai anashkalonte deklaratat e OSBE se zgjedhjet ishin më të mirat të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, si dhe nuk jepte asnjë përgjigje për atë që OSBE e konsideronte 28 qershorin si përmbushje të angazhimeve të OSBE për zgjedhjet.

Si një njeri që thotë se nuk është politikan, por që politika i pëlqen për biznes, Rama e kupton se pozitat e tij pas këtij raporti do të jenë shumë herë më të vështira jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë. Ndikimi që OSBE/ODIHR ka për vlerësimin e zgjedhjeve në një vend është në tryezën e punës të të gjitha qendrave vendimmarrëse të rëndësishme të Perëndimit. Një kopje e këtij raporti është nga dita e djeshme në Bruksel dhe pritet të pasohet edhe zyrtarisht me një sërë hapash pozitivë për një sërë procesesh përafruese të Tiranës me Bashkimin Europian, duke nisur që nga shqyrtimi i kërkesës në Komision Evropian të kandidaturës së Shqipërisë për anëtarësim në BE, si dhe në procesin e përshpejtimit të liberalizimit të vizave.

Dy përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, përkatësisht, ministri i Jashtëm suedez, Bildt, që mban presidencën e rradhës të BE, si dhe Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn deklaruan dje në unison se shanset e Shqipërisë për një afrim më të madh me Bashkimin Evropian janë tani shumë më të mëdha se përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. Reagimi i tyre erdhi pikërisht pas botimit të raportit zyrtar të vëzhguesve ndërkombëtar të zgjedhjeve dhe është një sinjal domethënës për mazhorancën e re që tashmë i ka të hapura dyert e integrimit.

Nëse Rama do të vazhdojë të këmbëngulë me kokëfortësi në të tijën edhe pas publikimit të raportit tw vwzhguesve si dhe reagimeve të Brukselit, atëherë ai nuk ka më një konflikt të hapur vetëm me shqiptarët, por edhe me ndërkombëtarët që kërkojnë stabilitet dhe reforma. Identifikimi i tij si një njollë e zezë e politikës shqiptare dhe stabilitetit të saj nuk do të jetë diçka që mund të kapërdihet lehtë prej tyre dhe kjo mund t'i rrezikojë të ardhmen, përtej asaj që mund të mendojë Rama në këto momente. Ai po e defaktorizon forcën politike që mban peng nga roli i saj politik duke e shndërruar atë në një faktor destabilizues me premtimin e përsëritur për ta nxjerrë nga institucionet në rrugë. Mesazhet e Perëndimit janë një formën e "biskotës", kur lëshohen përmes deklaratave si ato të ditëve tw fundit, por mund të vijnë edhe përmes "karrotës", nëse Rama nuk do të dijë ti lexojë në ditët e ardhshme.

Raporti i OSBE/ODIHR, qëndrimet e Brukselit dhe Uashingtonit kanë deligjitimuar të gjithë alibinë, që Rama kishte ngritur për të forcuar pozitat në PS dhe ai duhet të gjejë kurajë ta pranojë atë. Humbja e tij në zgjedhje, e çertifikuar tanimë nga OSBE/ODIHR është një mesazh për socialistët se kanë një kryetar humbës. Alibia e tij për të rikandiduar si dhe ajo e bojkotit të parlamentit mbështeteshin në një shtyllë të vetme, atë të njollosjes të zgjedhjeve nga institucionet vendimmarrëse ndërkombëtare. Tani që ata e çertifikuan 28 qershorin, si ditën më të mirë zgjedhore të historisë së Shqipërisë, Ramës nuk i mbeten shumë zgjidhje për të bërë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat