Nuk jemi më përsëritës

Opinione

Nuk jemi më përsëritës

Nga: Lavdim Lita Më: 16 shtator 2009 Në ora: 15:49

Na u desh një ditë e tërë për të reflektuar mbi raportin e OSBE/ODHIR. Kësaj radhe nxënësi i mirë me kombësi shqiptare e kaloi provimin e shkollës së demokracisë oksidentale. Me pak fjalë, pa eufori, u krye. Meqë angazhimet kryesore për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, u plotësuan. Unë gjykoj se ishin në 98 për qind. Nuk është vetëm intuita pasi lexova 36 faqe të raportit, por edhe fryma optimiste e qeverisë për të bërë më shumë në plotësimin maksimal të standardeve. Më në fund ABC e demokracisë e mësuam përmendsh dhe e ripërtypëm gjatë procesit zgjedhor.

Këtë e certifikoi edhe raporti i fundit i OSBE/ODIHR-it. Një raport shumë pro-pozitiv për Shqipërinë, i krahasuar me të gjitha raportet e viteve te votuara në demokraci. Një ndryshim e kishim kuptuar me zgjedhjet pararendëse, por sikurse ishim të kompleksuar nga fjalët e huaja nuk e thamë hapur, copë. Kemi shumë për të bërë, ne do lodhemi së shkruari për to, por sot është dita optimiste. Tani që arkitektura e shtëpisë elektorale është plotësuar na mjaftojnë vetëm disa aksesorë për ta gëzuar. Tani që raportin e OSBE mund ta lexojnë të gjithë shqiptarët, në internet apo gazeta të ndryshme, mund të jemi të qetë se klasën e parë e kaluam. Nuk jemi me vendnumëro, gjithmonë sipas raporteve të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Mirëpo, meqë kemi këtë zell për të mësuar gjithmonë e më shumë, kuptohet sesi përjetohet çdo provim përpara syve të botës, kuptohet vetiu dhe ai pritet gjithmonë në ankth. Afërmendsh këtë e kishim kuptuar, edhe më parë, kur shikonim ndeshjet e kombëtares, me të cilat arbritrat i ishin striktë rregullores. Dhe ne na bënte përshtypje ashpërsia e tyre në respektimin e saj. Por gjithmonë i shikonim me vëmendje tërheqjet e veshit. Përpara daljes së këtij raporti, shumëkush mund të kishte hamendësuar a menduar se raporti mund të përdorej nga opozita e Edi Ramës, për të justifikuar bojkotin e “kushtëzuar”. Vërtetësia e “kushteve” varej nga raporti, i cili në vend të mbronte tezat e opozitës, i hidhte ato kategorisht poshtë. Sa për manipulimet masive që flet Egoarku lart e poshtë, bashkë me Maqo Lakrorin, tashmë duhet t’i behet një rifreskim, një ri-azhornim i kushteve brenda kuadrit “mendim ndryshe”, sepse ato kushte të para - kështu siç janë - nuk bëjnë më për realitetin ku ne jetojmë e prodhojmë.

Vula e OSBE-së certifikoi në lëkurën e saj se nuk ka “dëshmi për manipulim dhe deformim të procesit zgjedhor”. Është një tatuazh në lëkurën e ashpër shqiptare. Është e rëndësishme të fokusohet vëmendja mbi “mosmanipulimin e procesit zgjedhor”. Për korrektësi duhet thënë se ka pasur një amatorizëm në nivel komisionarësh dhe numëruesish, që kryesisht vjen nga politizimi i procesit, sipas OSBE, pasi partitë kanë më shumë besim tek militantët sesa tek policia. Që në disa raste minuan procesin e numërimit të cilat më pas u ç’montuan fatmirësisht pastaj në KQZ qendrore në Tiranë. Pra gjithçka mbeti brenda suazave legjislative.

Raport i OSBE-së dëshmon se nuk u arritën “standardet me të larta demokratike”, për të cilën misioni këmbëngul në punën e vet këshilluese e vëzhguese. Edhe pse ka një problem në Shqipëri, për sa u përket “standardeve më të larta demokratike”, pasi duke mos pasur një kulturë besimi në institucione, parti ose organizata elektorale janë të mendjes që t’i bëjnë të gjithë gjërat vetë. Delegimi i besimit mbetet diçka e vështirë kudo. Në demokracinë e konsoliduar amerikane - po e marrim për shembull - në zgjedhjen e presidentit Bush përballë demokratit Al Gore, në shtetin e Floridas, pati parregullsi në numërimin e votave. Kjo do të thotë se edhe në shtete si SHBA-ja jo gjithmonë çdo gjë shkon vaj. Çështja shkoi në Kolegjin Zgjedhor suprem: u gjykua dhe mbaroi aty puna. Bushi mori mandatin e presidentit dhe luftoi për vendin e vet dhe demokracinë, e ndër këto kontribute mund të përdorim rastin e pavarësimit të Kosovës.

Nëse heqim një paralele me shkollën, kuptohet muhabeti ngase jemi në ditët e para të shkollës. Mund të themi se me këtë dëftesë aftësie, rishtarët hyjnë në klasën e dytë të shkollës së demokracisë. Nuk jemi më në klasën e parë. Nuk jemi më përsëritës. Nuk jemi më ngelësa. Nuk e blemë më provimin. As futëm mik në vlerësim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat