Votoni këlyshët e Evropës!

Opinione

Votoni këlyshët e Evropës!

Nga: Teki DERVISHI Më: 16 tetor 2009 Në ora: 17:32

Shroder po thotë se “Kosova është pavarësuar para kohe”. Ai tipi gjerman e di kohën. Si avokat që është i “Gazpromit” të Serbisë. Po lere kohën, ai thotë se disa shtete të Evropës e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, por nën diktatin e ShBA-së. Pra e kanë pranuar formalisht, unilateralisht, kurse multilateralisht (në selinë e BE-së) Solana e ka ngulur gozhdën ku e mbërthen si Krishtin në kryq “neutralitetin” ushtarak policor dhe gjenocidal ekonomik kulturor kundër Kosovës. Për dhjetë vjet Evropa e dekulturoi Kosovën, arriti atë që Serbia nuk kishte arritur për 100 vjet okupim, dhe këtë gjenocid e bëri me ndihmën e ish-shqiptarëve që luajnë rolin e pushtetarëve, parlamentarëve dhe administratorëve “konsolidues të institucioneve” të shtetit të pavarur pa sovranitet. Kosova e futur në geto sot po përjeton gjenocidin ekonomik dhe kulturor të mercenarëve (tradicionalë) të Rusisë në Bruksel.

Qeveria e Hashim Thaçit po e pjellë edhe një ministri të re, ministrinë e Integrimeve Evropiane, që do të punojë në zyrat e Ministrisë së Bujqësisë. Edhe sipas Shroderit, pasi na pavarësuan Vilsoni, Regani dhe Bushi Senior, shqiptarët e Kosovës po ia dorëzojnë sovranitetin e pavarësisë (politike e jo faktike) armikut historik të shqiptarëve - Evropës. Evropa do të na integrojë me një kusht (kur ta plotësojmë, zoti e di kur) kur t’i pranojmë kriteret e Evropës që ka për integrimin e Serbisë në Evropë. Kur nuk do të ketë më identitet kombëtar dhe kur do të zhduket “trashëgimia negative” e shqiptarëve në Kosovë dhe kur kosovarët, si komb ri pa traditë dhe trashëgimi, do ta pranojnë shpirtërisht se Kosova është trashëgimi serbe, siç po thotë Baba Papa Benedikti Gri dhe siç po thotë UNESKO e Valon instrumentistit ministër Beqirit të Hashim Thaçit.

Dhe a e dini kur ka vendosur Thaçi (lexo Fejti) që të pillet edhe një ministri e integrimeve me Evropën? Pikërisht u vendos po atë ditë kur ambasadorja e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit, në mënyrë decide tha se “është pikërisht tash koha kur Kosova në politikën ndërkombëtare duhet të veprojë e pavarur”. S’di qysh më qartë të thuhet: “Ruajuni se ju lëpiu Evropa serbisht”. Kush të ruhet? Nuk mundemi me ADN kuslinge pa integrime, siç nuk kemi mundur njëherë pa Babën Sulltan, pastaj pa Babën Sovjet, më vonë pa Babën Mao Ce Dun, ku me mujtë tash pa Babën Filip Sollana?! Diktatura e BE-së në Kosovë është krejt transparente: spiunazhi, përdorimi i njëditshëm i spiunëve të dikurshëm të Serbisë, armata e krejt Evropës, policia e Evropës, zhbiruesit dhe zhvatësit që pjellin ekonomi informale (Serbia prodhon, Kosova blen, nuk punon, nuk stimulohet puna, po papunësia, kolonizimi tipik) që Kosovën e ka shndërruar në një lavatriçe për shpëlarjen e parave të pista të Evropës. Evropa qorton Kosovën për korrupsion, kurse në të vërtetë mafia e saj politike me argatët në FMN e konstrukton korrupsionin, kurse djemve varfanjakë ish-shqiptarë të Solanës ua vë nga një asht qeni në gojë, duke i përbuzur me nofkën “të korruptuar”.

Votoni për këta këlyshë të Solanës! Se këta (të gjithë pa përjashtim) në fushatë paraelektorale po betohen se me çdo kusht do të integrohen me Evropën, këta janë ata (Kuçi) që janë betuar se nuk do të veprojnë asgjë pa bashkëpunim dhe marrëveshje me “ndërkombëtarët” (lexo Evropën). Aq u bën këtyre pse ambasadorja e SHBA-së në OKB (Rozmari di Karlo) në KS thotë se “është pikërisht tash koha kur Kosova në politikën ndërkombëtare duhet të veprojë e pavarur”. Është koha t’i jepet fund kuslingitetit, por ju votoni për këlyshët e Solanës, se para se t’i zgjidhni ju, më parë i ka zgjedhur UNMIK-u për ta ruajtur sovranitetin 1244 të Serbisë.

Asnjëherë, që kur u shpall pavarësia e Kosovës, nuk e kam mohuar pavarësinë, por kam insistuar se Kosova nuk është e lirë. Kështu jam dukur kontradiktor, si mund të jesh edhe i pavarur edhe jo i lirë? Një elokuencë e thellë e Migjen Kelmendit, më bëri të kuptoj pse dukesha kontradiktor. Ai tha në një emision të TV “Rrokumit”: “Kosova është e lirë, por nuk është vend i lirive”. Pse? Dikush na çliroi, por ne ua dorëzuam lirinë dhe sovranitetin atyre që historikisht ishin aleatë të Serbisë për t’i okupuar territoret shqiptare.

Klasa politike e Kosovës është reprezente e Evropës protektoratore ushtarake-policore. Kjo klasë politike ndodh të jetë edhe përfaqësuese e “popullit” të paadresuar në Dekretin zyrtar evropian. Në asnjë dokument të Evropës nuk përmenden “shqiptarët” e Kosovës, por vetëm serbët dhe të tjerët. Kështu si është projektuar nga BE-ja dhe diktatura e saj në KS institucioni shtetëror i Kosovës, çdo gjë do të ishte normale dhe në rregull, sikur legjislativi dhe ekzekutivi të mos ishin të varur nga diktati autokrat-policor evropian në emër të “mbikëqyrjes” ndërkombëtare. Fakti se “mbikëqyrësi” “ndërkombëtar” nuk e pranon sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe po shpallet si ekzekutor i politikës në Kosovë, e relativizon faktoritetin edhe të legjislativit edhe të ekzekutivit të institucionit të shtetit të Kosovës. Në teoritë politike ky tip i tillë shteti quhet shtet kusling. Klasa politike në Kosovë nuk është e zgjedhur nga populli, por është e emëruar sipas listave të UNMIK-ut. Është e emëruar dhe e autorizuar të zbatojë urdhra nga platforma zyrtare e strategjisë politike të Këshillit të Sigurimit, përkatësisht të Bashkësisë Evropiane. Kjo klasë politike përfaqëson zyrtarisht platformën strategjike të të huajve për “zgjidhjen e çështjes” së Kosovës sui generi-ke. Kjo shpurë parapolitike, përfaqësuese e strategjisë Evropiane, e ka ndihmuar Evropën që Kosova sot të jetë vendi më i varfër në botë dhe me qytetarë të prekur nga epidemia që quhet “traumë e luftës” dhe e gjenocidit fizik, ekonomik, kulturor.

“Është pikërisht tash koha kur Kosova në politikën ndërkombëtare duhet të veprojë e pavarur”. Kjo do të thotë, koha të dalë në skenë një lëvizje politike që do të angazhohet kundër riokupimit të shtetit të pavarur të Kosovës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat