Dy me zero

Opinione

Dy me zero

Nga: Astrit HARAQIA Më: 9 nëntor 2009 Në ora: 16:19

Po afrohet dita e zgjedhjeve. Propaganda elektorale kundër LDK-së po vazhdon të mbështetet vetëm në një “argument” që, kinse, për dy vjet, të tjerët kanë arritur më shumë se sa LDK-ja për “shtatë vjet”. Ata “harrojnë” të thonë se LDK-ja “për shtatë vjet” nuk ka qenë e para vetëm në Gjakovë, por ka qenë e para në të gjitha komunat e Kosovës, me ndonjë përjashtim. Pra, në tërë Kosovën “për dy vjet” partitë tjera (në pushtet) paskan bërë më shumë për Kosovën, se sa LDK-ja “për shtatë vjet”.

Kjo mund të ishte e vërtetë, vetëm nëse gjatë “shtatë vjetëve” Kosova të ishte një shkretëtirë, dhe për dy vjet shkretëtirën e lulëzuan partitë në pushtet. Vallë, partitë në pushtet, a nuk paskan trashëguar asgjë nga LDK-ja?

Jo qe “shtatë vjet” të LDK-së në Kosovë, për qe dhjetë vjet UNMIK-u dështoi në Kosovë, e jo LDK-ja.

Por, dështimit dhe krizës së rëndë në Kosovë, duheshte t’i gjendej “fajtori” vendor. Pra, filloi propaganda kundër LDK-së në pushtet. Dhe - propaganda e partive të sotme në pushtet, ishte edhe më e tmerrshme gjatë kohës sa ishte gjallë presidenti Rugova.

Qëllimi i kujt ishte demitizimi dhe zhglyrja e personalitetit historik të shqiptarëve. Ia denonconin bijtë e tij, familjen, ministrat e tij, çdo gjë që kishte lidhje me Rugovën dhe LDK-në u vu në “tepsinë e turpit publik”. Pas vdekjes së Presidentit, këta “dyvjeçarë” të pushtetit të sotëm e morën edhe meritën për Pavarësinë e Kosovës, dhe nuk e përmendin më Rugovën. Por, e përmend Presidenti Klinton. Dhe do ta përmend Gjakova, sot ose nesër, nuk ka rëndësi.

Dhe populli u mashtrua, kërkoi “ndryshime” që ia premtonte pushteti i sotëm “dy vjeçar”. Këta dyvjeçarë sot po thonë se kanë bërë më shumë se sa Ibrahim Rugova “për shtatë vjet”!

Pra, LDK-ja nuk u paska lënë asgjë. Këta trima ia paskan nisur prej fillimit! Kjo po bie se për “dy vjet”, partitë në pushtet, ia nisën punën prej themelit dhe e ndërtuan shtëpinë, e përfunduan ndërtimin e saj. E vërteta është ndryshe, shtëpisë së pa ndërtuar ende, i kanë vënë vetëm ndonjë derë a dritare, por shtëpia ka mbetur e pakryer. Gjakovën nuk e kanë nxjerrë prej krizës së rëndë!

“Shtatë vjet” pas luftës shtëpia nuk ekzistonte fare, as themeli i saj, Gjakova ishte e rrafshuar për toke. Por, për shtatë vjet Gjakova erdhi këtu ku është sot. Çka bënë këta pas “shtatë vjetëve”, menjëherë pas luftës, gjatë atyre “shtatë vjetëve” që po i përbuzin, i tërë populli filloi rindërtimin, populli i prirë pikërisht nga LDK-ja.

Derisa kalonin vitet e Rezolutës 1244, dikush i huaj në OKB e “planifikonte krizën” në Kosovë, që të pengohej pavarësia. Përveç nëse themi se kriza e Kosovës (ndaj edhe e Gjakovës) paska qenë faj i LDK-së, siç thonë këta trima, këta dyvjeçarë paskan ardhur nga Marsi në Kosovë pikërisht “para dy vjetëve” dhe e kanë gjetur këtuhen shkretëtirë.

Për dy vjet pushtet plus, është bërë vetëm ndonjë meremetim kozmetik, asgjë më shumë. Rinia e Gjakovës ka mbetur aty ku është: e pa perspektivë!

Por, zhvillimin që nisi Gjakova “para shtat vjetëve” e deri para dy vjetëve, u ndërpre po atë ditë kur LDK-së, me premtime meskine, ia mashtruan një pjesë të anëtarësisë, popullin. Është fakt i pamohueshëm, Gjakova, si edhe e tërë Kosova, përjeton krizë të rëndë ekonomike dhe kulturore. Janë ato proceset e planifikuara të Bashkësisë Evropiane “për zgjidhjen e çështjes” duke e defaktorizuar faktorin vendor politik. Dhe kush ishte faktor, pos LDK-së, pos Presidentit Historik? Pra, luftën kundër Rugovës dhe Kosovës e ndihmuan propagandistët “dy vjeçar” në shërbim të armiqve të Kosovës, atyre që po përpiqen ta konservojnë krizën dhe ta relativizojnë pavarësinë e Kosovës duke qëndruar “neutral” ndaj saj, duke mos e pranuar.

Derisa nuk faktorizohet LDK-ja, Kosova po jeton në premtimet e “dyvjeçarëve” për 24 orë rrymë, ujë të pijshëm, kanalizime.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat